Dy dëshmitarë kanë shpalosur dëshmitë e tyre në seancën gjyqësore për krime lufte në rastin ndaj Dushko Arsiqit. Shitblerja e një prone mes dëshmitarit Hilmi Krasniqi e të akuzuarit u shndërrua në temë qendrore të seancës. Ndërkaq dëshmitari i dytë rrëfeu se si u shpëtoi plagëve nga një sulm me armë në një shtëpi në Matiqan, ku e vdekur mbeti bashkëshortja e tij
Shitblerja e një prone mes një dëshmitari dhe të akuzuarit për krime lufte, Dushko Arsiq është shndërruar në temë qendrore të seancës së shqyrtimit kryesor për rastin, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, Arsiqi akuzohet për dëbim, plaçkitje, dëmtim të pronave dhe për keqtrajtim të civilëve shqiptarë, si dhe një vrasje në bashkëkryerje në rajonin e Prishtinës, në periudhën midis janarit e qershorit të 1999-s.
Dëshmitari i propozuar nga Prokuroria Speciale, Hilmi Krasniqi, konfirmoi para trupit gjykues se e pati takuar të akuzuarin Arsiq, bashkë me dy shokë të tij, për të diskutuar rreth një çështjeje pronësore teksa tregoi se atij i ishte prezantuar me mbiemër të rremë.
“Kemi pi një herë kafe, te Minimaxi atje nalt, me disa shokë të tjerë… Arsyeja ka qenë lidhur me një pronë, gjoja se dikujt ju ka ba fallc…Unë kam blerë pronë prej ni shqiptarit”, tha Krasniqi.
“A i keni thënë se emrin e keni Hilmi dhe mbiemrin Butovci?” – pyeti avokati i Arsiqit, Nebojsha Vllajiq.
“I kam thënë”, tha Kasniqi.
Dëshmitari në seancë dha një deklaratë të kundërtën me atë që e pati dhënë në polici se Arsiqin e pati parë të veshur me uniformë.\
“Dushkon a e ke pa ndonjëherë me uniformë?” – tha prokurori special Atdhe Dema.
“S’e kom pa me uniformë…Nuk mundem me thane se është ky”, tha dëshmitari Krasniqi.
Dëshmitari Krasniqi foli edhe për të dëmtuarin, Artan Krasniqi, për të cilin ai dhe disa dëshmitarë të tjerë treguan se ishte rrahur nga Arsiqi dhe disa persona të tjerë dhe që është detyruar të bartte një kufomë mbi shpinë. Dëshmitari tha se të dëmtuarin e pati parë të përgjakur më 20 prill të 1999 dhe se ai ia kishte përmendur një person me emrin “Dushko”, si përgjegjës për lëndimet.
“Kur ka ardhë me 20 prill – n’gjendje të rendë, i përgjakun te guri i verdhë. U kanë në gjendje të ramë edhe ka ftyra edhe kah shpina. E kom pa edhe shumë here”, tha Krasniqi.
“A të ka treguar kush?” – pyeti Dema.
“E ka përmendur emrin Dushko – ka përmendë Dragan dhe Boban”, tha Krasniqi.
Krahas Krasniqit, në këtë seancë dëshmoi edhe Hazir Fazliu, që tha të mos i ketë njohur Arsiqët e Matiqanit. Por rrëfeu se si mes 28 e 29 marsit të 99-s u pati mbijetuar plagëve nga të shtënat me armë që lanë tre të vdekur, mes të cilëve edhe gruan e tij.
Arsiqi ishte arrestuar në Jarinjë, dhjetorin e 2021-tës teksa po kthehej në Serbi, ndërsa në nëntor të 2022-tës, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër tij e që atëherë është në paraburgim.