12:07 - Hoxhaj për Ditën e Kushtetutës: Njerëzit që janë sot në Qeveri vazhdimisht e luftuan Kushtetutën
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se Kushtetuta e Kosovës reflekton vlerat më të larta të shoqërisë sonë.
Hoxhaj ka thënë në Ditën e Kushtetutës se Kosova sot ka një shumicë parlamentare dhe një Qeveri e cila jo vetëm që nuk e ka njohur por vazhdimisht e ka mohuar dhe luftuar misionin dhe funksionin e saj.
“Madje, ky grup njerëzish që aktualisht qeverisin me vendin kanë ardhur në pushtet duke ndjekur rrugë dhe metoda antikushtetutese dhe paraqesin një rrezik permanent për rendin tonë kushtetues”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë të jetë e gatshme për ta mbajtur të paprekshme Kushtetutën.
Edhe
Në 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës bëhet thirrje që ajo të mos shkelet
10:09 - Haradinaj: Ky përvjetor i Kushtetutës shënohet me suksese por edhe sfida për t’i tejkaluar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët.
Sipas tij, ky përvjetor i Kushtetutës shënohet me suksese por edhe sfida për t’i tejkaluar.
“Trembëdhjetë vite më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend sovran, i pavarur dhe unitar. Ky përvjetor, shënohet me punë e suksese të numëruara, por edhe sfida për t'i tejkaluar. Demokracia, të drejtat individuale, pluralizmi politik e institucionet e pavarura, që dalin nga fryma kushtetuese, duhet të mbrohen me çdo kusht nga secili tentim që të tjetërsohen. Kosovë, Urime Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
10:06 - Abdixhiku: Kushtetutën duhet ta kemi udhërrëfyes për vlerat demokratike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Kushtetutës.
Edhe
PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese
Abdixhiku ka thënë se qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet Kushtetutës, u garantohet liri me të drejtat e barabarta për secilin.
“Nëpërmjet Kushtetutës, qytetarëve të Republikës së Kosovës u garantohet liria me të drejtat e barabarta për secilin, ndërsa, ne, si politikbërës duhet ta kemi atë si udhërrëfyes për vlerat demokratike dhe në parimet tona udhëheqëse. Në këtë ditë veçanërisht, por, edhe çdo ditë, duhet të kujtojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti më i rëndësishëm që ruan e mbron integritetin e sovranitetin e Republikës sonë dhe integritetin e qytetarëve tanë”, ka thënë Abdixhiku.
Sot bëhen 13-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Edhe
Kosova shënon Ditën e Kushtetutës
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë - neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi.