Arbëri

Dita e Kushtetutës përcillet me mesazhet që të mos shkelet ajo

Kushtetuta e Kosovës

Liderë të partive opozitare, në përvjetorin e aktit më të lartë juridik të shtetit, kanë vlerësuar se Qeveria aktuale po e shkel atë si asnjë qeveri më parë. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua në Kuvend më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke u dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare

Në 15-vjetorin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës, të dielën, nuk pati ndonjë ceremoni sikurse viteve të tjera. Por liderë institucionalë e partiakë, shfrytëzuan, kryesisht rrjetet sociale për të folur për rëndësinë që ka akti më i lartë juridik i shtetit.

Liderë opozitarë theksin e vunë te shkelja gjithnjë e më e shpeshtë e Kushtetutës, sipas tyre nga institucionet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, nëpërmjet një postimi në Facebook, u shpreh se subjekti që udhëheq mbetet i përkushtuar ta mbrojë Kushtetutën sa herë që ajo cenohet.

“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime antikushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cenimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, e një varg shkeljesh të tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi.

Në emër të LDK-së, për Ditën e Kushtetutës dhe për shkeljet, që sipas kësaj partie po bëhen nga pushteti, foli Xhafer Tahiri, anëtar i kryesisë.

Ai numëroi disa prej ligjeve që sipas tij, kanë shkelur Kushtetutën. Sipas tij, Qeveria Kurti jo që shkel Kushtetutën, por siç tha edhe nuk i respekton vendimet e saj.

“Qeveria e Kosovës ka krijuar një traditë të shëmtuar të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese deri më sot që po flasim. Ministrja e Drejtësisë është shpallur shkelëse e Kushtetutës me rastin e rrëzimit të (Ligjit të) KPK-së, ministrja e Arsimit është shpallur me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Kushtetuese shkelëse e Kushtetutës së Kosovës me ndërhyrjen e saj në Komunën e Kamenicës, po ashtu edhe tani Ligji për paga që është dërguar nga Avokati i Popullit, e po ashtu edhe tendencat e Qeverisë për të ndërhyrë në financat apo të hyrat vetanake të komunës, të gjitha janë shkelje flagrante të Kushtetutës se Kosovës nga Qeveria”, ka thënë Tahiri.

Në të njëjtën vijë u shprehë edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai bëri ftesë që Qeveria të ndalë sjelljet sipas tij, jokushtetuese.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike. Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Ai ka shtuar se Kushtetuta e vendit është moderne dhe e hartuar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancën e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit.

E bashkëpartiakja e tij, deputetja, Time Kadrijaj, kërkoi garanci nga kryeministri Albin Kurti që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet së shpejti, të jetë në përputhje me Kushtetutën, pra që të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Për Ditën e Kushtetutës, të dielën ka folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane. Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t'i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t'i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë”, thuhet në një deklaratë të Osmanit, përcjell nga Presidenca.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua në Kuvend më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke u dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare.

Ish-kryetari i komisionit për hartimin e Kushtetutës dhe anëtari shumëvjeçar i PDK-së, Hajredin Kuqi, ka ftuar institucionet dhe të tjerët të respektojnë vendimet e saj.

“Mendoj se është një prej punëve më të mira që është bërë në shtet ndërtimin e Kosovës, por edhe në krijimin e bazës të asaj që ka qenë synim i qytetarëve, i paraparë me deklaratën e pavarësisë. Ajo e ka mundësuar që shteti të sendërtohet, por edhe institucionet, po edhe baza legale të ndërtohet në Kosovë”, ka thënë Kuqi.

Sipas Kuçit, në të kaluarën aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë respektuar edhe në rastet kur ai aktgjykim ka prishur edhe balance politike apo pozita personale. Njëlloj, sipas tij, duhet të bëjë edhe Qeveria Kurti.

“Mendoj që Kushtetuta dhe ambienti ynë ka qenë i ndërtuar në bazë të tillë që të kuptohet që është akti më i lartë juridik. Në të kaluarën është treguar që çdo aktgjykim është respektuar dhe kur ai aktgjykim ka prishur balance politike ose ka prishur edhe pozita personale më herët. Mendoj që kjo traditë e mirë duhet që të vazhdohet dhe hierarkia në këtë rast, edhe sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë e vazhdueshme dhe të mos prishet piramida e drejtësisë”, shtoi ai.