Në Ditën e Kushtetutës, kryeministri Albin Kurti ka shtruar nevojën që bartësit e institucioneve të tregojnë maturi ndaj kushtetutshmërisë. Por, ai ka marrë kritika nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për ligjet jokushtetuese të nxjerra gjatë mandatit të shkuar. Kushtetuta është amendamentuar katër herë
Në 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës, përfaqësues politikë kanë theksuar rëndësinë e respektimit të aktit më të lartë juridik të shtetit.
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar të enjten në Facebook se Kushtetuta kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë mekanizmat dhe bartësit e përgjegjësive zyrtare, që në ushtrimin e mandatit të tyre të qëndrojnë me integritet, të sillen me maturi dhe të tregojnë besnikëri ndaj kushtetutshmërisë.
“Në këtë kuadër, roli i institucioneve të sistemit që i jep kuptim përfundimtar normës kushtetuese mbetet thelbësor si për besimin e mbështetjen popullore, ashtu edhe për ruajtjen e ekuilibrave të pushteteve përbrenda rendit kushtetues”, ka thënë Kurti.
Por, Kurti ka marrë kritika nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për ligjet jokushtetuese të nxjerra gjatë mandatit të shkuar.
“Në 5 vjetët e fundit kemi parë shkelje të panumërta të Kushtetutës, përmes vendimeve dhe veprimeve antikushtetuese duke anashkaluar qëllimshëm parimet e saj”, ka thënë Haradinaj.
Edhe
Zemaj: Kurti e ka shkelur në vazhdimësi Kushtetutën
Me 162 nenet e saj, Kushtetuta përcakton karakterin unitar të shtetit, garanton demokracinë, barazinë para ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu rregullon funksionimin e institucioneve, dhe përcakton kompetencat dhe hierarkinë e tyre.
Kushtetuta është miratuar në seancën e 9 prillit 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë. Nga ajo ditë, 9 Prilli shënohet si festë zyrtare.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Ditar Kabashi, ka thënë se Kosova është ndër vendet e rralla ku Dita e Kushtetutës është njëkohësisht festë dhe pushim zyrtar.
E, tek ka vlerësuar përmbajtjen e Kushtetutës, Kabashi ka thënë se ajo është bujare në aspektin e të drejtave të njeriut.
“Kushtetuta e Kosovës në kuptimin e të drejtave dhe lirive të njeriut është e avancuar, është tejet bujare sa i përket dhënies të së drejtave dhe e përbrendëson edhe konventën ndërkombëtare për të drejta të njeriut dhe i referohet si një konventë që duhet të zbatohet drejtpërsëdrejti në rendin juridik të Kosovës”, ka thënë Kabashi.
Kushtetuta është amendamentuar katër herë.
Më 7 shtator 2012 janë ndryshuar dhe janë hequr disa nene, duke përmbyllur fazën e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Për herë të dytë, më 26 mars 2013, është shtuar një nen që i mundëson Kuvendit të japë amnisti me ligj.
Edhe
Hoti për Kurtin: Vetëm dikush kundër ekzistencës së shtetit, e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje
Ndryshimet e 5 gushtit 2015 i kanë hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Ndërsa për herë të fundit, më 11 mars 2016, janë ndryshuar mënyra e zgjedhjes dhe përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.