Arbëri

SHBA-ja falënderon Kosovën si shtetin e parë evropian që ia pranoi emigrantët e dëbuar

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës (Foto: Alban Bujari)

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës

Foto: Alban Bujari

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar Kosovën që u bë shteti i parë evropian që ka pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA-ja.

“Faleminderit partneres sonë, Kosovës, shtetit të parë në Evropë që njoftoi pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Sigurimi i kufirit amerikan është prioritet kyç i Administratës Trump dhe unë e vlerësoj si Qeverinë ashtu edhe popullin e Kosovës për partneritetin e tyre”, ka thënë Prattipati në një postim të publikuar nga llogaria e Ambasadës Amerikane në rrjete sociale.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës e miratoi vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, për siç thuhet, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje.

Paraprakisht, Departamenti Amerikan i Shtetit pati konfirmuar se vendet e rajonit të Ballkanit, janë kontaktuar në kuadër të një strategjie më të gjerë amerikane, për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar. 

E, sipas raportimit të “Bloomberg”, bëhet fjalë për emigrantët, kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela - të cilëve u është tërhequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.