Zyrtari ligjor i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, Blendor Shatri, ka thënë se në protestën e thirrur nga sindikata më 4 dhjetor pritet të marrin pjesë afro 2000 persona.
Shatri ka thënë se në këtë protestë do të jenë kryetarë të shoqatave sindikale, së bashku me kryesitë, që përafësisht janë rreth 2000.
Shatri ka thënë se protesta po organizohet për shkak të mungesës së dialogut social, mosgatishmërisë së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për t’u ulur dhe negociuar kontratën kolektive, si dhe injorimi i vazhdueshëm i kërkesave të sindikalistëve.
“SBASHK-u nuk është takuar me ministren Nagavci që nga greva e vitit 2022. Asnjëherë Nagavci nuk e ka parë të aryeshme t’i pranojë përfaqësuesit e SBASHK—ut e t’i diskutojë kërkesat...Këshilli drejtues ka marrë vendim që më 4 dhjetor të shkohet me protestë, e ka vendosur që në protestë të marrin pjesë kryetarë të shoqatave sindikale, së bashku me kryesitë, që afërsisht bëjnë rreth 2000 persona. Në raste se protesta s’jep efekt, e s’reflektojnë ministrja Nagavci dhe Qeveria atëherë mund të shkojmë me hapa tjerë në të ardhmen”, ka thënë Shatri, në "60 Minuta" të KTV-së.
Shatri ka thënë se kanë dorëzuar në MASHTI draftin e kontratës kolektive dhe kanë kërkuar që MASHTI ta analizojë e të diskutohet për këtë draft. Por, ai ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje.
“Ky draft pos që parasheh rregullat për detyrat e punës, ka pasur të parapara edhe benefitet e ndryshme, si pagat e përcjelljes në pension, pagat jubilare, shujtat, e pagesat e udhëtimit dhe benefite tjera që ishin me kontratat e kaluara”, ka thënë Shatri.