Arbëri

Shala për ndërtimin e muzeut të luftës: S’kemi mbështetje nga institucionet

Esat Shala

Arkivuesi i krimeve serbe në Kosovë, Esat Shala, ka ngritur alarmin për mungesën e mbështetjes institucionale ndaj nismës për ndërtimin e muzeut të luftës në fshatin Krajkovë të Drenasit, një projekt që synon ruajtjen e dëshmive autentike të luftës dhe trajtimin e traumave të pasluftës.

Shala ka bërë të ditur se puna në arkivimin e materialeve të luftës po vazhdon, por ruajtja e tyre mbetet problem serioz për shkak të mungesës së kushteve dhe fondeve. Sipas tij, shumë kaseta me incizime origjinale të luftës kanë nevojë urgjente për digjitalizim.

Ai ka shpjeguar se tashmë ekziston një plan dhe projekt për ndërtimin e muzeut të luftës në Krajkovë, ku po punon vullnetarisht bashkë me miq të tij. Shala thekson se muzeu nuk do të jetë pronë personale, por një pasuri për gjeneratat e ardhshme.

“Muzeu do të jetë i hapur për këdo që dëshiron të njohë të kaluarën tonë dhe rrugën drejt lirisë. Do të ketë edhe një teatër me ekran të madh dhe kapacitet prej 120 ulësesh, ku gjatë gjithë javës do të shfaqen incizime autentike të luftës”, ka deklaruar Shala në emisionin “Fiks n’Kohë”.

Sipas tij, muzeu do të përmbajë materiale që nuk janë publikuar kurrë më parë, me vlerë mbi 30 mijë euro, por që për shkak të pamjeve të rënda nuk janë publikuar në rrjetet sociale.

Një element i veçantë i projektit, sipas Shalës, është hapësira për psikologë, e dedikuar për persona që vuajnë nga traumat e luftës dhe nuk kanë pasur mundësi financiare për trajtim — një përgjegjësi që, sipas tij, është dashur ta marrë shteti.

Punimet aktualisht janë në fazë fillestare, ndërsa për mbështetje financiare është hapur edhe një GoFundMe.

Megjithatë, Shala shpreh zhgënjim të thellë me institucionet, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë përkrahje nga qeveria, Komuna e Drenasit apo ajo e Skenderajt.

“Kam kontaktuar edhe komunën, më thanë të bëj kërkesë zyrtare, por nuk pati asnjë reagim”, ka deklaruar ai.