Dy ditë pasi u takua me kryeministrin Albin Kurti, dhe me ministrin për Komunitete e Kthim, Nenad Rashiq, një qytetar serb nga Komuna e Istogut është larguar nga puna në shkollën që funksionon në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë. Arsyetimi i shkollës ku punonte si rojë, ishte situata ekonomike e punëdhënësit, por familjarë të tij thonë se shkaku i vërtetë është takimi me Kurtin
Dy ditë pasi e takoi kryeministrin Albin Kurti, Dalibor Sedlareviqit nga Drugalevci i Komunës së Istogut, i erdhi vendimi për largim nga puna. Ai punonte si rojë nate në shkollën fillore “Radosh Toshiq” në fshatin Osojan, që funksionon në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë.
Vendimi, që e ka siguruar KOHA, mban datën 9 shkurt, dy ditë pasi Sedlareviq u takua me Kurtin. Largimin nga puna të Sedlareviqit, drejtori i kësaj shkolle Milan Kovaçeviq, e ka arsyetuar me situatën ekonomike.
“Dalibor Sedlareviqit i punësuar si rojë nate, i shkëputet marrëdhënia e punës më datën 9 shkurt, 2023. Për shkak të ndryshimeve organizative dhe ekonomike të punëdhënësit, pushon nevoja për punët të cilat i ka kryer i punësuari”, thuhet në vendim.
Sedlareviq, në shkurt të këtij viti ishte mysafir te familja e Slavisha Komatoviqit, në fshatin Zllaq, kur për vizitë iu shkoi Kurti dhe Ministri për Kthim e Komunitete, Nenad Rashiq.
Largimin nga puna për shkak të takimit me kryeministrit Kurti e kanë konfirmuar familjarët e Dalibor Sedlareviqit, por se ata nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht. Prapa kamerës, ata kanë thënë se Sedlareviqi aktualisht është i papunë
Për rastin nuk kanë pranuar të flasin as nga familja Komatoviq me arsyetimin që kryefamiljari i tyre nuk është në shtëpi.
Vizita e kryeministrit Kurti te familja Komatoviq, është zhvilluar në kuadër të takimeve që ai e zyrtarë nga kabineti i tij janë duke i bërë me serbët gjithandej Kosovës.
Dyert e shkollës “Radosh Toshiq”, ku deri para pesë muajve punonte Sedlareviqi, ishin të mbyllura. Banorë të fshatit ku ndodhet kjo shkollë, kanë thënë se kohën e pushimeve verore drejtori i kësaj shkolle, Milan Kovaçeviq e kalon në Serbi. KOHA nuk ka arritur të vërë kontakt me të.
Me gjithë arsyetimin në vendimin për largimin e Sedlareviqit nga puna, banorët i kanë treguar KOHËS se shkolla ka angazhuar një roje tjetër.
Për rastin e largimit nga puna qytetarit serb nga Istogu, janë të njoftuara edhe autoritetet e Kosovës.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, që e ka takuar Sedlareviqin, ka thënë se takimi me serbët ka pasur qëllim ndihmën që dëshirojnë t`u ofrojnë atyre. “Fatkeqësisht atë ditë, jo dy tri ditë pastaj, por atë ditë pasdite të njëjti person që është larguar nga puna e kanë njoftuar që nuk bënë kështu, ti nuk mundesh me punu me ata njerëz se largohesh prej punës. Por, jo vetëm ai. Kemi pasur 4 familje të cilat kanë pasur pasoja direkte sa i përket vizitës që kemi bërë”, ka thënë ai.
Rashiq ka bërë të ditur se përkohësisht familjes së Sedlareviqit, por edhe tri të tjerave që kanë vizituar në shkurt, ua kanë ndarë një shumë prej 150 eurosh, nga fondi i partisë që ai bën pjesë. Sipas Rashiqit, rastet sikur i qytetarit nga Istogu, nuk janë të vetmet, dhe me sish ballafaqohen vazhdimisht.
Ministri ka thënë se janë duke u angazhuar në gjetjen e një strategjie për mbështetje afatgjate të serbëve, që institucionet e Kosovës, të shihen si partner të tyre.
“Kjo është arsye pse unë po insistoj që të tregojmë anën pozitive të institucioneve, që t’u mundësojmë personave, në veçanti këta që i keni përmendur ju, të rrezikojnë qëndrueshmërinë e jetës në Kosovë. Të rrezikojnë gjatë ndonjë ndalesë, ndalje në kufi, imponim ose përpjekje të imponimit”, ka thënë Rashiqi.
Në njoftimin e bërë më 7 shkurt, nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit me disa familje serbe në Komunën e Istogut, është thënë se me ta është biseduar “për përditshmërinë, angazhimet, bashkëjetesën me shqiptarët dhe nevojat e fshatit”.
Kryeministri Kurti sipas njoftimit, i ka vënë në dijeni banorët me politikat sociale që po zbaton Qeveria dhe për planet e lansimit të masës tjetër të punësimit që mbështet bizneset që angazhojnë punëtorë nga komuniteti joshumicë.