Arbëri

Britania e Madhe: Kosova e Serbia t’ua dëgjojnë zërin minoriteteve

Askush në Kosovë nuk duhet të jetë cak i presionit apo diskriminimit, ka thënë Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë e pyetur për të komentuar telashet me të cilat po përballen serbët në Kosovë për bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës.

Pak ditë pasi një serbi në Istog iu dogj shtëpia, KOHA raportoi se një qytetar serb u largua nga puna në shkollën që funksionon në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë, e sipas familjarëve të tij, shkaku ishte takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës si vend stabil, multietnik, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Askush që jeton në Kosovë nuk duhet t’i nënshtrohet presionit apo diskriminimit”, ka thënë Richard Le Vay, shef i Zyrës për Komunikim në Ambasadën Britanike.

“Siç e ka theksuar ambasadori ynë në një intervistë për KoSSev javën e shkuar, ne kolektivisht duhet ta gjejmë një mënyrë për të kuptuar më mirë dhe bashkëpunuar me komunitetin serb në Kosovë. Është e rëndësishme që komuniteti të jetë në gjendje dhe të dëshirojë që zëri i tij të dëgjohet, dhe të dyja qeveritë, në Prishtinë e Beograd duhet t’i dëgjojnë këta zëra”, ka thënë tuje Le Vay.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka thënë se i njeh hapat e ndërmarra nga Kosova për angazhim me komunitetin serb, “duke përfshirë përkthimin dhe kontaktin”, megjithatë ka shtuar se “ka hapësirë për të bërë më shumë dhe Mbretëria e Bashkuar është e gatshme ta mbështesë këtë”.

Të shtunën, KOHA ka raportuar se si Dalibor Sedlareviqit nga Drugalevci i Istogut u largua nga vendi i punës si rojë nate në një shkollë në fshatin Osojan, që funksionon në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në Kosovë. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, që e ka takuar Sedlareviqin, ka thënë se takimi me serbët ka qëllim ndihmën që dëshiron Qeveria t’ua ofrojë. Ai ka thënë se autoritetet po angazhohen në gjetjen e një strategjie për mbështetjen afatgjatë të serbëve.