Arbëri

Ish-polici i Kosovës akuzohet për krime lufte sa ishte polic i Serbisë

Për torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit 1999, është akuzuar të enjten Zlatko Arsiq, pjesëtar i policisë serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë e më pas edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në seancën gjyqësore të shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore, i pandehuri u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokurori special, Atdhe Dema, e veçoi një prej torturave që sipas tij e ka kryer Arsiq. Përmendi torturimin e Besim Muhaxherit në Komunën e Kamenicës.

“I pandehuri e ka kapur nga krahu të dëmtuarin dhe kur janë afruar te shkallët e stacionit policor, i pandehuri ka filluar që ta godasë të dëmtuarin me shufër gome derisa e ka dërguar në zyrë në katin e dytë, sapo e ka futur në zyrë ka filluar përsëri ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit me shufër gome. I pandehuri Zlatan Arsiq, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve të Kamenicës me rrethinë pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin”, ka thënë prokurori Dema.

Pasi i akuzuari Arsiq u deklarua i pafajshëm, avokati i tij, Vasilije Arsiq, kërkoi që t’i zbutet masa e paraburgimit.

“Zlatko Arsiq ka një pasuri të madhe, ka familjen në Kosovë dhe madje është i gatshëm të marr obligimin që rregullisht të lajmërohet në stacionin policor në Kamenicë ose edhe të deponojë 20 mijë euro si dorëzani”, ka theksuar avokati Arsiq.

Kërkesën e mbrojtjes e kundërshtoi prokurori Dema. Sipas tij, duke pasur parasysh aktakuzën, ekziston mundësia që i pandehuri të arratiset në Serbi.

E kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu, tha se do ta shqyrtojë kërkesën e mbrojtjes.