Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Zlatan Arsiq i nacionalitetit serb, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile në Kamenicë. Ai u arrestua më 7 mars në pikën kufitare Dheu i Bardhë-Konçul.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M. duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet, si dhe, duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
“Po ashtu, i pandehuri Z.A. në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile’’.
Gruaja e Arsiqit, Zorica, ka thënë për mediumin në serbisht “Kosovo Online”, se bashkëshorti i saj ka punuar si zyrtar i sigurimit në Kuvendin e Kosovës në periudhën 2003-2006, e që kur ndërroi vendin e punës ishte polic në Policinë e Kosovës.
Arsiqi ishte arrestuar me policë të tjerë edhe në rastin Karaçeva.