LAJMET E MBRËMJES

I akuzuari për krime lufte në rajonin e Kamenicës lirohet në mungesë provash

Zlatan Arsiq, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Kamenicës, është liruar të hënën nga akuzat. Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se në bazë të provave e dëshmive të prezantuara nuk është vërtetuar fajësia e tij

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuzat për krime lufte Zlatan Arsiqin. Ai akuzohej për keqtrajtim, torturë e shkatërrim të pronës së popullatës civile shqiptare në rajonin e Kamenicës.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Musliu-Selimaj konstatoi të hënën se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar fajësia e të pandehurit.

“Trupi gjykues deri te ky vendim që të akuzuarin e ka liruar nga akuzat ka ardhur pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, pas administrimit të provave verbale, dëgjimit të dëshmitarëve para trupit gjykues dhe pas administrimit të të gjitha deklaratave dhe dëshmisë së tyre përsëri prokuroria nuk ka arritur që ta argumentojë faktin se i akuzuari Zlatan Arsiq ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur që ta vërtetojë faktin se ishte i akuzuari ai që e maltretoi të dëmtuarin Besim Muhaxheri, nuk ka arritur ta vërtetojë faktin se ishte personi që ia dogji shtëpinë”, tha ajo

Arsiqi akuzohej se e ka keqtrajtuar e torturuar Besim Muhaxherin dhe se ia ka djegur shtëpinë. Trupi gjykues konstatoi se pretendimet e prokurorisë nuk u vërtetuan, ndonëse nuk e mohoi se Muhaxheri ishte viktimë e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe.

“Gjykata nuk e konteston faktin se i njëjti është maltretuar, i është djegur shtëpia, marrë parasysh periudhën kur ka ndodhur...”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Gjykata po ashtu mori vendim për konfiskim e shkatërrim të armëve e municionit që ia gjeti Arsiqit në shtëpi.

Konfiskohen sendet përgjithmonë, që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit: një pushkë gjuetie prodhim Zastava me numër 8, leje për armë gjuetie, 60 copë fishekë, një fishek me 9x9 milimetër, tre copë fishekë 9 milimetër, 5 copë fishekë 7.65 milimetra, karikator pistolete 1 copë me 7.65 milimetra, një shufër metalike dhe një maskë e zezë. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet shkatërrimi i armëve të konfiskuara”, theksoi Musliu-Selimaj.

Që nga sot Arsiqit i është ndërprerë paraburgimi.

Prokuroria Speciale i ka 30 ditë afat për ankesë lidhur me këtë aktgjykim.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Arsiqit, sipas së cilës, ai ishte pjesëtar i forcave policore që kryen torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit 1999 në rajonin e Kamenicës.

Po, sipas aktakuzës, ai e ka ndalur Besim Muhaxherin e më pas në mënyrë çnjerëzore e ka keqtrajtuar, duke e rrahur me shufër gome, shqelma dhe grushte.