Arbëri

Nip e dajë dëshmojnë për torturat që i përjetoi Besim Muhaxheri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca e radhës në rastin penal ku i akuzuar për krime lufte është Zllatan Arsiq, i cili pas luftës ishte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës. Para gjykatës dolën dy dëshmitarë, të cilët folën për gjendjen e familjarit të tyre pasi ishte rrahur nga policia serbe në stacionin policor në Kamenicë

Nip e dajë kanë dalë të mërkurën para gjykatores për të dëshmuar mbi torturat që ka përjetuar Besim Muhaxheri gjatë luftës, për të cilat prokuroria e mban përgjegjës Zllatan Arsiqin.

Mbi Arsiqin, ish-pjesëtar i policisë së Serbisë, e pas lufte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, rëndojnë akuzuat për torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit të vitit 1999.

Dëshmitari Zuka Mavriqi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tregoi se në çfarë gjendje e pa Muhaxherin, pasi u lirua nga stacioni policor në Kamenicë.

“Ka qenë i lënduar në shpinë, e ka pasë krejt zi”, ka thënë Mavriqi.

Sipas Mavriqit, i dëmtuari Muhaxheri qëndroi në shtëpinë e tij pas torturës, pasi e ka djalë të motrës.

E prokurori special Atdhe Dema pyeti për mënyrën e mjekimit të Muhaxherit, pasi u rrah në stacion.

“A e keni dërguar në spital?”, ka pyetur prokurori Dema.

“Jo, motra i ka marrë do krunde, e me krunde e ka pështjellë edhe ia ka lidhur shpinën”, është përgjigjur Mavriqi.

Pas Maviriqt, para gjykatës dha dëshmi Senad Maliqi, i cili po kështu ka thënë se e ka parë Muhaxherin në gjendje të rëndë.

“Besimin e kam djalë të tezes. Pasi kam dëgjuar për rastin, e kam vizituar dhe ka qenë në gjendje të rëndë, por se kush e ka rrahë nuk e di, vetëm se ka thënë që policia”, ka theksuar gjatë dëshmisë Maliqi.

Në seancën e radhës është paraparë që të dëgjohet një dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Arsiq, me të cilin do të përfundojë pjesa e dëshmive.

Avokatët e ish-policit nuk e mohuan që Muhaxheri ka përjetuar tortura, por thanë se klienti i tyre nuk ishte i përfshirë.