Arbëri

“Shpinën e ka pas krejt zi”, qytetari dëshmon në gjykatë ndaj ish-policit serb

Në procesin gjyqësor ku po gjykohet për krime lufte Zllatan Arsiq, pjesëtar i policisë serbe gjatë luftës në Kosovë, ka nisur dëshminë dëshmitari Zuka Mavriqi, që ka folur lidhur me maltretimin ndaj djalit të motrës së tij, Besim Muhaxheri.

Gjatë dëshmisë, Mavriqi ka thënë se në një moment kur e kishte parë Muhaxerin “ka qenë ligsht e shpinën e ka pas krejt zi”.

Arsiqi, që pas luftës ka qenë edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, akuzohet për torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit 1999. Në seancën gjyqësore të shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore, i pandehuri qe deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Në gusht, prokurori special, Atdhe Dema, e pati veçuar një prej torturave që sipas tij e ka kryer Arsiq. Pati përmendur torturimin e Besim Muhaxherit në Komunën e Kamenicës.

“I pandehuri e ka kapur nga krahu të dëmtuarin dhe kur janë afruar te shkallët e stacionit policor, i pandehuri ka filluar që ta godasë të dëmtuarin me shufër gome derisa e ka dërguar në zyrë në katin e dytë, sapo e ka futur në zyrë ka filluar përsëri ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit me shufër gome. I pandehuri Zlatan Arsiq, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve të Kamenicës me rrethinë pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin”, pati thënë Dema.