Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbët në veri, të detyruar të dalin në barrikada

Askush nuk është duke punuar në komunat veriore të Kosovës – as shkollat, as institucionet e as hotelieria. Të gjithë të punësuarit e kanë obligim pune të jenë në barrikadat që kanë bllokuar rrugët kufitare me Serbinë, ka raportuar të martën mediumi serb “N1” nga vendi i ngjarjes.

Rudari në Zveçan është fshati që është mbushur me kamionë të cilët kanë bllokuar rrugën. Si pasojë e barrikadimit, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë. Sipas raportimit, janë 100-200 serbë po qëndrojnë nëpër barrikada gjatë ditës.

Pamjet e shfaqura nga ky medium tregojnë dhjetëra vetura të parkuara skaj rrugës, e burra dhe gra që qëndrojnë në këmbë.

Të mërkurën nuk janë regjistruar incidente, ndërsa të barrikaduarit, sipas raportimit, janë “të shqetësuar” se kur dhe nëse Policia e Kosovës do ta nisë heqjen e barrikadave.

Njerëzit “janë të shqetësuar për listën e famshme” që e ka Policia e Kosovës, që thuhet se përmban listën e njerëzve të kërkuar për arrestim. Askush s’e ka të konfirmuar se kjo listë ekziston, por se kjo vetëm flitet mes njerëzve.

Edhe Kamionë dhe autobusë nga Kosova nuk po lejohen të kalojnë nëpër Serbi Arbëri Kamionë dhe autobusë nga Kosova nuk po lejohen të kalojnë nëpër Serbi

Në mesin e të barrikaduarve askush nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë.

Barrikadat në veri këtë herë janë vënë pas arrestimit të një ish-polici serb, që dyshohet se ka kryer sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e shkuar, në përpjekjet për të shkuar në zyrat e tyre në komunat veriore, në përgatitje për zgjedhjet që u parapanë për 18 dhjetor, e që më pas u vendos të shtyheshin për shkak të tensioneve.