Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sejdiu: Kosova është e fundit në integrimin evropian jo për fajin e saj

Këshilltari për integrime evropiane në Qeverinë e Kosovës, Mehdi Sejdiu, ka thënë se Kosova mbetet si vendi i fundit në integrimin evropian, jo sepse nuk po bëhen reforma, por sepse Bashkimi Evropian, sipas tij, po bën hapa të ngadalshëm për ta ofruar Ballkanin, e sidomos Kosovën.

I ftuar në emisionin “Interaktiv” në KTV, të mërkurën, Sejdiu ka thënë se ngecjet për integrim në BE ndodhin pasi brenda bllokut nuk ka konsensus se si t’i qasen Kosovës vendet anëtare të BE-së.

“Në integrim jemi të fundit jo pse Kosova nuk po bën reforma, sepse qe gjashtë vjet jemi duke impelementuar MSA-në, por BE-ja po është e ngadalshme për ta ofruar Ballkanin, e sidomos Kosovën. Për çdo vend që është larguar nga ish-Jugosllavia, BE-ja e ka njohur kolektivisht, jemi vendi i vetëm ku brenda BE-së ka pasur mospajtime për njohjen e Kosovës. Në debatin e sotëm në Parlamentin Evropian (Viola von Cramon v.j.) shpesh herë u është drejtuar vendeve mosnjohëse, duke u thënë shihni sa demokratike është Kosova, ju e keni lënë të fundit, prandaj kjo është arsyeja pse jemi të fundit në integrim, jo pse mungojnë reformat, institucionet apo zgjedhjet demokratike, në këto performojmë shumë mirë. Por nuk ka konsensus brenda BE-së se si t’i qasen Kosovës”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se ka ndryshuar gjuha sa i përket integrimit të Kosovës, pasi para një viti nuk është përmendur asnjëherë njohja e ndërsjellë si kusht, ndërsa këtë vit po.

“Në qëndrimet e para një viti, nuk është përmendur asnjëherë njohja e ndërsjellë si kusht. Kur ishte kancelari gjerman në Beograd e tha dhe pati një lloj shtangie atje”, ka thënë ai.