Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se do të ishte lajm i mirë që subjektet politike të vrapojnë pas kuadrove, personaliteteve më të shquara të shoqërisë në sektorë të caktuar, por se sipas tij disa nga prurjet e reja në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk janë të tilla.
Ai në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se kandidati i PDK-së për deputet Besim Hasani, nuk është i ri në politikë.
Krasniqi ka thënë se Hasanit pozitën e kryetarit të Komiteti Olimpik të Kosovës (KOK) ia ka mirëmbajtur PDK-ja.
“Zotëri Hasani unë nuk mendoj që është i ri në politikë, realisht unë mendoj që një prej aseteve që e përmendi ishte koha e gjatë e menaxhimit në Komitetin Olimpik, janë pikërisht njerëzit e PDK-së që kanë qenë të angazhuar të ia mirëmbajnë pozitën edhe aty, sepse zotëri Krasniqi, në një kohë ministër i Kulturës, ka qenë nënkryetar i Komiteti Olimpik, zotëri Shasivar Haxhiu ka qenë nënkryetar i Komitetit. Ne i dimë akuzat se si në prag të zgjedhjeve në Komitet janë licencuar edhe federata fiktive në mënyrë që të dërgojnë delegatë aty dhe licencimin e ka bërë ministri, prej ministrit ka shkuar kjo”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Hasani ka bashkëvepruar me njerëz të PDK-së qysh moti.
“Bashkëveprimtari e zotëri Hasani me njerëzit e politikës, veçmas të PDK-së është e moçme edhe druaj që mënyra se si e ka mbajtur pozitën në komitet t’i shërbejë edhe në politikë mund të jetë paksa problematike”, është shprehur Berisha.
Krasniqi ka folur edhe për kandidatin për deputet të PDK-së Adriatik Berisha. Ai ka theksuar se nëse PDK-ja i është ofruar atij pas pritjes që ia ka bërë ish-presidentit Hashim Thaçi në QKUK kur ai e ka vizituar babanë, do të ishte lajm i keq edhe për Berishën e edhe për PDK-në.
“Zotëri Berisha nuk e di a jeni moti në PDK apo jeni prurje e re, ju thatë jeni moti, por Zotëri Hamza ju prezantoj si prurje e re. Nëse babai juaj është themelues i PDK-së, atëherë ne po flasim për këto feudet brenda partisë, jo vetëm në PDK, por fatkeqësisht po e karakterizon secilën parti, kur baba e dërgon djalin kandidat, vëllai e dërgon motrën, ai tjetri e dërgon nipin dhe pastaj kjo po i ngufat partitë edhe në lista po janë njerëz që pas vetes po kanë njerëz të fortë dhe jo domosdoshmërish meritokracia po është përcaktuese se cila po është lista”, ka deklaruar Krasniqi.
Gjendja në shëndetësi, Berisha: PDK-ja shumë pak kohë e ka menaxhuar këtë fushë
Adriatik Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se problemi me shëndetësinë në Kosovë ka qenë se partitë politikë e kanë konsideruar si dytësore, e se partitë e mëdha nuk e kanë udhëhequr gjatë.
Ai ka përmendur Uran Ismailin si ish-ministër që sipas tij ka bërë reforma në shëndetësi. Ka shtuar se gjatë kohës së Ismailit si ministër do të mund të bëhej shumë më shumë, por se nuk ka mundur për shkak të përfundimit të mandatit para kohe.
“Problemi më i madh i politikës është se shëndetësinë e kanë llogaritë dytësore dhe një periudhë të gjatë partitë të mëdha nuk e kanë marrë shëndetësinë në duart e veta. Një periudhë të gjatë kanë qenë minoritetet që e kanë udhëhequr. Në të gjitha qeveritë ka pasur hapa para, por ecje e ngadalshme. Në kohën e Uran Ismailit është rritë një aktivitet i punës, kja pasur energji të re”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se arritja më e madhe e Ismailit si ministër i Shëndetësisë ka qenë funksionalizimi i Kardiologjisë Invasive.
“A kanë qenë mjaftueshëm, nuk e di çka të them sepse nuk ka qenë periudhë shumë e gjatë e qeverisjes së tij. Ka pasur mundësi të punohet më shumë nëse koha do të ishte më e gjatë, por mandati pati përfunduar para kohe”.
Hasani: Atë që s'e ka arritur shteti me Interpol e Eurovision, ne si sport e kemi bërë
Besim Hasani, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, ka thënë se akterët e sportit në Kosovë kanë bërë më shumë se ata të politikës për shtetin.
Ai ka shtuar se Komiteti Olimpik ka arritur me punë e strategji “atë që nuk e ka arritur askush”.
“Njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Ndërkombëtar nuk ka qenë rastësi, është rezultat i një pune disavjeçare... Sa kam qenë unë president i Komitetit Olimpik janë ndërruar 10-11 ministra, s’bëhet fjalë vetëm për ministrin Krasniqi, por për të gjithë. Ato që kanë të bëjnë me synimet, orientimet strategjike të Komitetit Olimpik për të arritur atë që nuk e ka arritur askush, shteti s’mund ta fut në Interpol por as në Eurovision, e kemi arritë ne të organizatave joqeveritare me punë dhe strategji”, ka thënë Hasani në Konfront.
Sefaj: Shumica e prurjeve të reja në politikë nuk performojnë mirë ose partia i lë në hije
Analisti Ali Sefaj ka thënë se partitë politike është dashur t’i prezantojnë shumë më herët kandidatët e rinj që i kanë futur në listat e tyre për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas tij, partia ndodh që shpesh anëtarët e rinj i lë në hije.
"Do duhej të rekrutoheshin apo të bënin më herët transferet që të familjarizoheshin më shumë me objektivat, programin, agjendën. Është mirë kur shohim freski, por ne jemi dëshmitarë që shumica e prurjeve të reja në politikë shpesh ose nuk e kanë mundësinë të performojnë mirë, ose në rast se performojnë mirë i tret partia duke ia dhënë ngjyrimin e vet dhe duke i lënë nën hije", ka potencuar ai në "Konfront".