Arbëri

Aderimet para zgjedhjeve

Partitë politike

Foto ilustrim

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë prezantuar aderime të reja. PDK-ja prezantoi Eman Rrahmanin që në zgjedhjet e fundit i priu Listës për Familjen, e në LDK aderoi Ermal Sadiku. AAK-së i është bashkuar profesionisti nga fusha e teknologjisë dhe e inxhinierisë, Mumin Morina.

Dy ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, të cilët në zgjedhjet e kaluara garuan me Listën për Familjen, të mërkurën i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Koalicionin me dy deputetët që u ndanë nga Lëvizja Vetëvendosje para zgjedhjeve të shkurtit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e vlerësoi shumë.

Tha se bashkëpunimi me ta është vlerë e shtuar për partinë dhe vendin.

“Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të asaj që të bëjmë progres dhe ta ndryshojmë gjendjen në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, emergjencat, sigurinë dhe, normalisht, duke pasur kujdes edhe për mirëqenien dhe familjen. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm dhe se do të kemi sukses”, ka thënë Hamza.

E Eman Rrahmani tha se kishin zhvilluar negociata edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por që marrëveshje arritën me PDK-në.

Ai e quajti Hamzën figurë unifikuese.

“Kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, energjinë, aspektin social dhe familjen në përgjithësi dhe kemi arritur dakrodim të plotë me të gjitha pikat dhe jemi dakorduar dhe zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritje të mirëqenies, familjes, të identitetit tonë por edhe punët që e presin vendin tonë. Me Hamzën kemi pas bashkëpunime të vazhdueshme, ndaj edhe si një figurë unifikuese dhe profesionale sidomos në fushën ekonomike, sot vendi ka nevojë që ne të bashkojmë forcat dhe të bëjmë rrugëtim politik të dinjitetshëm”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ishte larguar nga LVV-ja për shkak të kundërshtimit ndaj ndryshimeve në Kodin Civil, që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë. Ai tha se ky qëndrim nuk ka ndryshuar.

Hamza gjatë ditës prezantoi edhe hematologun Adriatik Berisha, i cili u bë i njohur publikisht pas vizitës së ish-presidentit Hashim Thaçi te babai i tij në spital.

Berisha ishte një nga mjekët që përcolli gjendjen shëndetësore të babait të ish-presidentit dhe u pa teksa e shoqëronte Thaçin gjatë largimit nga QKUK-ja.

“Ekipit tonë iu bashkua një profesionist i jashtëzakonshëm: hematologu i njohur, dr. Adriatik Berisha. Përveç ekspertizës së tij, ai ka treguar gjithmonë përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare. Kosova ka nevojë për profesionistë dhe PDK-ja është shtëpia e tyre. Mirë se erdhe në familjen tonë politike, dr. Adriatik!”, ka thënë Hamza.

E Lidhjes Demokratike të Kosovës iu bashkua si aderim i ri inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e prezantoi Sadikun si një prej emrave më të shquar të industrisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë.

“Ardhja e tij, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur bashkimin në parti të inxhinierit të ujërave, Mumin Morina.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, gara për figura të reja është nxehur, por deri tash vetëm Lëvizja Vetëvendosje nuk ka prezantuar ndonjë prurje të re.