Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të mbahet sonte.
Burime të KOHËS kanë thënë se seanca pritet të mbahet në orën 19:00.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë ditës Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë mbledhur deputetët për të diskutuar. Ndërkaq emra zyrtarisht ende nuk ka.
Siç ka mësuar KOHA, emri me mbështetjen më të madhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës është Justina Pula. Ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se oferta e tyre e fundit për një dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit është që emri për president të propozohet nga PDK-ja, e të marrë mbështetjen edhe të VV-së. Ai pati thënë se emri nuk do të jetë partiak.
Hamza e kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar dy herë deri tash. Nga takimet nuk ka pasur rezultate konkrete për ndonjë kandidat konsensual. Të shtunën, oferta e Hamzës u interpretua nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si “hapje e garës” për president. Megjithatë, kjo u mohua nga Hamza që u shpreh se “po që se ka garë, dihet rezultati” duke aluduar në numrat në Kuvend. Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
E në prag të takimit të deputetëve të VV-së të mërkurën, Kurti ka thënë se “është kureshtar për diskutimet brenda”, duke iu përgjigjur gazetarëve në Kuvend.
Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.