Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk mund të thërrasë seancë për zgjedhjen e presidentit pa i pasur dy kandidatë me nga 30 nënshkrime të deputetëve.
Haxhiu në konferencën e mbajtur të mërkurën ka thënë se 5 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, ndonëse më herët pati deklaruar se afati përfundonte më 4 mars.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPresidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
Kurti i ka pasur edhe tri takime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por as këto nuk rezultuan me ndonjë propozim. Kurti të martën e cilësoi takimin konstruktiv, por nuk dha detaje. U shpreh se për gjithçka “do të njoftojnë së shpejti”.
Hollaj i reagon sërish Nagavcit: Nuk garantuat vota për Osmanin, e ftuat vetëm për formalitet e të fajësohet pastaj opozita
Shefja e stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Learta Hollaj i ka reaguar sërish shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavcit, e cila deklaroi se i ka të garantuar votat e të gjithë deputetëve të partisë në pushtet.
Hollaj, ka thënë se presidentes Osmani nuk i janë garantuar votat por po ftohet vetëm sa për formalitet si kundërkandidate e Glauk Konjufcës, në mënyrë që pastaj të fajësohet opozita për shkuarje në zgjedhje.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”, ka thënë në reagimin e sërishëm Hollaj.
Lushaku-Sadriu: Shprehim indinjatën tonë, po merret drejtim kah zgjedhjet e reja
Lushaku-Sadriu ka thënë se është e indinjuar me sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, me propozimin e Glauk Konjufcës kandidat për president. Ajo ka thënë se po shfaqet tendenca për t’i kapur institucionet kryesore politike në vend.
“Si LDK e kemi parë me shqetësim kahjen e re të këtij procesi dhe mbylljen një mundësie që të gjindet një kompromis e cila do të mënjanonte bllokadat sistematike institucionale. Kjo është një rrugë njëkahëshe, pa krye, është drejtim kah zgjedhjet e reja të cilat janë totalisht të panevojshme edhe e paraqet tendencën për të kapur institucionet kryesore në vend. Ne sot po e shprehim indjinatën tonë, kemi dhënë si parti gjithçka, kemi provuar t’i japim vendit zgjidhje duke ofruar mundësinë e dialogimit”, ka thënë Lushaku-Sadriu në konferencën për media.
E pyetur nëse është diskutuar emri i Glauk Konjufcës dhe Vjosa Osmanit si kandidatë për president, Lushaku-Sadriu tha se “emrat e përveçëm nuk janë diskutuar”.
Sa i përket mundësisë që Vjosa Osmani të kthehet në LDK ajo ka thënë se secili që përfaqëson ideologjitë e njëjta është i mirëseardhur porse specifikisht vendosë kryesia e LDK-së.
“LDK-ja është shtëpi e madhe dhe shohim e bëjmë. Secili përfaqëson vlera politike, duhet gjithmonë të qëndrojmë brenda vlerave që përfaqësojmë, ideologjive tona brenda partisë poliitke. Kur i takon një blloku politik je gjithmonë i mirëseardhur në një shtëpi por tani nuk është diçka që e përcaktoj unë, e përcakton kryesia e LDK-së”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
E pyetur edhe nëse do të marrin pjesën në seancën për presidentin, Lushaku-Sadriu deklaroi se nuk do të shkaktojnë bojkot por do të varet nga kandidatët dhe vendimi se a e përkrahin ose jo.
“Ne nuk do të shkaktojmë bojkot, obligimet dhe përgjegjësitë e secilit deputet dihen, ne do të jemi në suazë të të drejtave dhe përgjegjësive tona politike. Do të kemi gjithmonë një arsye për secilën sjellje. Definimin e sjelljes sonë do ta shihni, do të varet shumë nga seanca, mënyra, kandidatët dhe përkrahja që ne ia japim një kandidature ose jo”, ka thënë Lushaku-Sadriu në konferencën për media.
Manxhuka – Presidencës: Nëse keni dyshime ejani në LVV, do t’ju japim 33 nënshkrime
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka ka reaguar pasi që nga Presidenca e kanë mohuar se Lëvizja Vetëvendosë ia ka ofruar presidentes Vjosa Osmani 30 nënshkrime për të plotësuar kushtin për të kandiduar edhe për një mandat.
Në një status në rrjetin social Facebook, Manxhuka i është kundërpërgjigjur shefes së stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, e cila e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci se ia kanë ofruar Osmanit nënshkrimet e deputetëve.
“Nëse shefja e zyrës së presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që sonte të vijë në zyrat e Lëvizjes, do t’i ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra 33”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Në një postim në Facebook, Hollaj, ka thënë se kjo është gënjeshtër.
“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka shkruar Hollaj.
Osmani thotë se LVV-ja nuk ia ka ofruar 30 nënshkrime për kandidim
Shefja e stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka mohuar që i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje, presidentes Osmani.
Shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, në një konferencë për media deklaroi se Lëvizje Vetëvendosje ia ka ofruar nënshkrimet e deputetëve presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë edhe për një mandat.
Në një postim në Facebook, Hollaj ka thënë se kjo është gënjeshtër.
“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka shkruar Hollaj.
Për reagimin e Hollajt, u pyet gjatë konferencës Nagavci. Ajo nuk është përgjigjur se kur i janë ofruar nënshkrimet por ka theksuar se i garanton nënshkrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin.
“Unë sot i garantojë votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse flasim për nënshkrime të deputetëve. Nëse themi se nuk është e vërtetë. Sot jam e gatshme të garantojë në emër të Lëvizjes që do të ofrojë vota për të vazhduar në garë tutje”, tha Nagavci.
Nagavci: Ia kemi ofruar 30 nënshkrime Vjosa Osmanit, i ka refuzuar
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se si Lëvizje Vetëvendosje ia kanë ofruar nënshkrimet e deputetëve presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të plotësuar kushtin për të hyrë në garë edhe për një mandat.
Por këtë ofertë sipas Nagavcit Osmani nuk e ka pranuar.
“Si Lëvizje i kemi ofruar edhe presidentes, zonjës Vjosa Osmani për kandidaturën e saj, edhe pse siç e dimë nga asnjë subjekt tjetër politik nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe kemi pas deklarata publike në këtë rast të PDK-së që nuk e mbështet Osmanin për presidente”, ka thënë Nagavci.
“Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, tani duke marrë parasysh dinamikat aktuale, edhe kohën e shkurtër, deri nesër në orën 24 për të zgjedhur presidentin, por edhe numrat e subjekteve të tjera që nuk kanë numër të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar 30 nënshkrime”, ka shtuar ajo në konferencë për media ta mbajtur të mërkurën.
Ajo ka thënë se VV vazhdojmë të jenë të gatshëm t’i ofrojmë nënshkrimet e deputetëve të tyre për subjektet e tjera për të ofruar kandidaturat e tyre potenciale.
“Ne kemi të drejtë të nominojmë edhe një kandidat. Arsyeja është pikërisht në tendencën frymën tonë të bashkëpunimit, qasjen konstruktive edhe ndaj partive opozitare. Me synimin që t’i shmangim edhe një palë zgjedhje. LDK-së e PDK-së u mungojnë votat. PDK tetë vota për 30 nënshkrime ... LDK 15 nënshkrime. Jemi të gatshëm të ofrojmë nënshkrime e presim të dalin me emra konkret e të vazhdojmë me garë si vazhdohet me frymë Kushtetutës”, është shprehur Nagavci.
Haxhiu: Vetëm një kandidat për president, duhen dy për të ftuar seancën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se deri në këto momente është propozuar vetëm një kandidat për president, ai është Glauk Konjufca. Ajo ka thënë se Konjufca është propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietknik.
Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve të japin nënshkrimet e të propozohet edhe një kandidat tjetër për t’u plotësuar kushti që të thirret seanca për zgjedhje të presidentit.
Ajo ka thënë se afati i fundit për t’u thirrur seanca është 5 marsi.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 orë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.
Kryeparlamentarja Haxhiu, në konferencën për media ka thënë po ashtu se nëse deri nesër nuk kemi edhe një emër tjetër nga opozita si kandidat për president dhe të thirret seanca për të filluar afati rrjedhës 60 ditor, atëherë vendi hynë në një “terren të pashkelur”.
Siç deklaroi Haxhiu, sipas Kushtetutës së Kosovës, afati 60 ditor nis kur ftohet seanca e Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit dhe tentohet zgjedhja e tij/saj, por ky afat nuk ka nisur sepse nuk janë dy kandidatë për president në mënyrë që të ftohet seanca.
“Në situatën aktuale, vetëm nëse në raundin e tretë, asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat 61 siç parashihet me Kushtetutë për t’u bërë president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzkonshme. Tjetra që parashihet me Kushtetutë është se nëse brenda afatit 60 ditor nuk arrin të zgjidhet presidenti i Kosovës, prej nisjes së procedurave, që bie se nëse do të nisnim sot, por meqenëse nuk kemi nisur ky afat nuk filloi të vlejë. Me situatën kur nuk ka një kandidat të dytë, ndonëse presim deri nesër edhe një kandidat tjetër nga opozita, por, nëse jemi pas datës 6 e tutje, nuk përcaktohet qartë se çka ndodhë nëse presidenti zgjidhet pas këtij afati. Hyjmë në një terren tjetër, shpesh quhet terren i pashkelur”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tha se në këtë situatë kërkohet maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha palët dhe të vendoset interesi i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve para çdo kalkulimi.
PDK: Shumica parlamentare po prodhon krizë të re politike
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke e çuar vendin drejt një krize të panevojshme institucionale.
PDK-ja ka thënë se shkaku i mosgatishmërisë së Kurtit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së presidentit të ri.
“Zgjedhja e presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandatave që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik. Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK-ja ka thënë se pasi nuk ishte arritur marrëveshje për një kandidatë konsensual, PDK-ja kishte kërkuar të zgjidhet një president i propozuar nga ajo. Por, edhe kjo ishte refuzuar.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional. Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme. Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan. Përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për ta qeverisur vendin”, thuhet në reagim. “Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak”.
Çitaku: Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pasi që Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për president, ka thënë se tashmë është e qartë, që “Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”.
“Në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike. Jo sepse nuk kishte rrugëdalje. Përkundrazi, zgjidhja ishte aty. Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte. Por Kurti zgjodhi krizën. Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Tutja ajo ka shkruar se Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që sipas saj, po ua imponon Kurti.
“Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete. Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo”, ka shkruar Çitaku.
LDK: Qasja e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për konsensus, vendi drejt zgjedhjeve
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
Në një postim në Facebook, pasi që VV-ja e propozoi Glauk Konjufcën për president, kjo parti ka vlerësuar se për shkak qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.
“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Hamza: Pa marrëveshje paraprake politike nuk ka votë nga PDK-ja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të japë votë për president pa një marrëveshje paraprake politike.
Hamza për Kosovapress tha se qëndrimi i PDK-së ka qenë konsistent.
“Qëndrimi është i njëjti, Partia Demokratike e Kosovës ka konsistencë, s’kemi pas vija të kuqe, kemi pas vullnet të plotë me votuar një kandidat, po nëse do të kishte qenë dikush prej familjes Jashari, flas me respekt, me respekt deri në përulje e vlerësojmë vendimin e familjes. Kemi thanë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht t’i paraprijë marrëveshja politike që të kemi president të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së.
Ai u shpreh se nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti në Kuvend lidhur me këtë çështje.
Hamza thotë se nuk ka një qëndrim për Andin Hoti i përmendur në media si kandidat i mundshëm i Vetëvendosjes për president.
“S’kemi qëndrim se s’ka kandidaturë zyrtare, mirëpo pa marrëveshje paraprake nuk ka votë prej Partisë Demokratike”, tha Hamza.
Lëvizja Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca për pozitën e presidentit.
Në një postim në rrjetin social Facebook partia në pushtet ka shkruar se në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme. Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thuhet në postim.
Vetëvendosja i ka ftuar subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat dhe ka njoftuar se nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese do t’i ndihmojnë nga grupi i tyre parlamentar.
“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në postim.
Tutje thuhet se gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e partive opozitare por se nga to nuk kanë marrë një propozim konkret për një kandidat konsesual për president.
“Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë. Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”, thuhet në postim.
Postimi i plotë:
Arsim Bajrami tërheq kandidaturën për president
Akademiku Arsim Bajrami është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.
Bajrami më 26 shkurt kishte shpallur kandidaturën e tij, por të mërkurën është tërhequr duke thënë se vendimin e ka marrë pasi dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, “nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual” për president të Kosovës.
“Duke qenë se dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual për President të Republikës së Kosovës, KAM VENDOSUR TË TËRHEQ GATISHMËRINË TIME PËR T’U VËNË NË DISPOZICION SI KANDIDAT KONSENSUAL. Vetofrimi im kishte për qëllim ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën vendi po hyn në vitin e dytë, duke vënë në shërbim përvojën time shtetndërtuese mbi tri dekada, në funksion të unitetit politik dhe qytetar, si dhe të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami në një njoftim publik.
Bajrami ka thënë se vetofrimi i tij për t’u bërë president nuk kishte prapa as motive personale e as karriere, por ishte një shprehje e gatishmërisë për t’i shërbyer Kosovës në moment të ndjeshëm.
“Cilido President apo Presidente që do të zgjidhet, i dëshiroj sukses dhe shpreh gatishmërinë time që, në kapacitetin tim akademik dhe profesional, të kontribuoj në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike të vendit. Me këtë rast, shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për mijëra miq, kolegë, profesorë dhe studentë, për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe solidaritetit qytetar që më kanë dërguar këto ditë”, ka thënë Bajrami.
Seanca për presidentin pritet të mbahet sonte
Seanca për zgjedhjen e presidentit pritet të mbahet sonte.
Burime të KOHËS kanë thënë se seanca pritet të mbahet në orën 19:00.
Gjatë ditës Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë mbledhur deputetët për të diskutuar. Ndërkaq emra zyrtarisht ende nuk ka.
Siç ka mësuar KOHA, emri me mbështetjen më të madhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës është Justina Pula. Ditë më parë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se oferta e tyre e fundit për një dakordim me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit është që emri për president të propozohet nga PDK-ja, e të marrë mbështetjen edhe të VV-së. Ai pati thënë se emri nuk do të jetë partiak.
Hamza e kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar dy herë deri tash. Nga takimet nuk ka pasur rezultate konkrete për ndonjë kandidat konsensual. Të shtunën, oferta e Hamzës u interpretua nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si “hapje e garës” për president. Megjithatë, kjo u mohua nga Hamza që u shpreh se “po që se ka garë, dihet rezultati” duke aluduar në numrat në Kuvend. Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
E në prag të takimit të deputetëve të VV-së të mërkurën, Kurti ka thënë se “është kureshtar për diskutimet brenda”, duke iu përgjigjur gazetarëve në Kuvend.
Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.
Tahiri: Ende s’kemi asnjë informacion për seancën për presidentin
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se procesi për zgjedhjen e presidentit është përcjellë me jotransparencë dhe jollogaridhënie.
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të AAK-së, Tahiri ka deklaruar se ende nuk kanë asnjë informacion për seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Ende asnjë grup parlamentar nuk ka marrë informacion se a do të mbahet seanca për presidentin. Qytetarët e Kosovës duhet ta dijnë që përgjegjësia primare i takon partisë më të madhe e cila i mori 51%. Nuk i ka 80 vota ta bëjë presidentin dhe në mungesë të votave nuk ka ndodhur një proces politik për të zgjedhur një kandidat konsensual”, ka thënë Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të AAK-së.
Sipas Tahirit nuk ka vullnet për vendosjen e një kandidati konsensual e nuk ka fare as kandidat për këtë pozitë.
“E vërteta është që nuk ka kandidat e as kandidate për president, ka vetëm spekulime dhe situata hipotetike. Si ka mundësi të vijë Kosova në këtë gjendje, si ka mundësi të mos e dijë qytetari i Kosovës që do të vijmë në këtë ditë. Kjo situatë hipotetike ka një qëllim, që opozita të dorëzohet dhe të shkojë në zyre një person me librezë. Kjo nuk ndodhë. Tendenca është ngërçi. Tendenca është që mosmarrëveshjet politike të kthehen në interpretim kushtetues”, ka thënë Tahiri.
Lushtaku: S’e votojmë asnjë kandidat të propozuar nga VV-ja
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se në mbledhjen Grupit Parlamentar të PDK-së kanë diskutuar zhvillimet e fundit rreth çështjes së presidentit.
Ai ka thënë se nuk do ta mbështesin asnjë kandidat që imponohet nga partia e në pushtet, e as Andin Hotin, i cili u përfol se mund të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje.
Duke folur për ndonjë propozim nga PDK-ja, ai tha se partia të cilës i përket është e gatshme të jap emrin e kandidatit nëse ka marrëveshje politike.
E për qëndrimin në sallë nëse thirret seancë, Lushtaku ka deklaruar se nuk do ta bëjnë.
“Qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari ta votojmë, por e pamë qëndrimin e tyre. Derisa ka tentime me i dërgu në qosh opozitën dhe me imponu kandidatin tyre, ne nuk pranojmë dhe me përgjegjësi qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që kemi dhënë që mos me qenë mbështetëse të një pushteti autoritar. Ne e respektojmë çdo familje të respektuar edhe Andinin e kemi pas koleg, por ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në VV nuk kemi votë për të. Nuk do të qëndrojmë në sallë. PDK-ja është e gatshme me dhënë emrin nëse ka marrëveshje”, ka thënë ai.
LDK: Përgjegjësia për emrin e presidentit i takon Vetëvendosjes
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për ndonjë takim me kryetarin Lumir Abdixhiku, e ku ka theksuar edhe se përgjegjësinë për çështjen e presidentit e mban partia në pushtet.
E pyetur rreth raportimeve se Vjosa Osmani mund të bëhet pjesë e listës së LDK-së, ajo tha se gjithçka i takon të ardhmes.
“Deri në këtë moment, partia e parë e mban përgjegjësinë për të prezantuar një emër për president edhe për ta thirrur seancën me 30 nënshkrime. Deri në këtë moment s’kemi ndonjë kandidat që është prezantuar. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë edhe në dialog, edhe në procesin e zgjedhjes, ashtu siç e kemi edhe obligim, edhe siç i takon secilës parti parlamentare në një shtet demokratik. Për këtë e kemi shfaqur gatishmërinë tonë, po varet nga partia më e madhe parlamentare, e cila i ka numrat edhe për ta përmbyllur këtë proces edhe për t’i dhënë kahe. Është vërtetë për keqardhje që nuk kemi qartësi të procesit dhe nuk kemi ndonjë emër për president”, ka thënë ajo, raportoi EO.
Lushaku-Sadriu e ka mohuar të ketë marrë Abdixhiku ftesë për takim nga i pari i LVV-së.
“Nuk kam parë që ka një takim. Jo, s’ka as ftesë për kryesi, as për seancë. Ne vetëm po presim që të ketë ftesa“, ka thënë ajo.
Ajo ka hezituar të përgjigjet direkt nëse Osmani do të jetë pjesë e listës së LDK-së, sikurse u raportuar një ditë më parë.
“Si parti parlamentare kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në dialog, në diskutime, të vijmë drejt një emri konsensual ose përmes një marrëveshjeje politike. Gatishmëria e LDK-së ka qenë totalisht në dispozicion. Ne numrat nuk i kemi të vetëm që të prezantojmë asnjë emër dhe as ta bëjmë zgjedhjen e presidentit. Prandaj gatishmërinë tonë e kemi ofruar dhe kemi marrë pjesë për aq sa na ka takuar“, ka shtuar Lushaku-Sadriu.
Hamza: S’kemi kandidat pa marrëveshje paraprake
Para nisjes së mbledhjes të Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i saj, Bedri Hamza ka thënë se partia e tij zyrtarisht nuk e ka asnjë kandidat për president.
Hamza ka thënë se nuk është diskutuar për emra për kandidat, pa u arritur paraprakisht një marrëveshje.
“Jo nuk ka marrëveshje. S’kemi propozuar se s’kemi mbërri fare deri te propozimi. Ne kemi folur parimisht, kemi dashur ta ketë vendi një president, urojmë që të ketë president. Ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi që presidenti të zgjidhet i propozuar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një emër dinjitoz shumë, që s’do të thotë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, po mund të jetë edhe jashtë strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president“, tha ai.
Ai tha se ende nuk ka marrë ftesë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për ndonjë takim të ri.
“Nuk kemi kandidat, të gjitha janë spekulime. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kandidat për president pa marrëveshje paraprake. Jo, nuk kemi ftesë”, ka thënë Hamza.
Më herët, KOHA ka raportuar se emri i kryeakademikes Justina Pula është i preferuari brenda diskutimeve në parti. Megjithatë, partia nuk ka përmendur emra të përveçëm publikisht.
Haliti: Janë 4-5 kandidatë për president, s’më ka kontaktuar Andin Hoti
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se janë 4-5 kandidatë që janë përmendur për postin e presidentit derisa deklaroi se në politikë nuk ka ideale.
I pyetur nëse është kontaktuar nga ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti pas lajmeve se është kandidat për president nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Haliti tha se ai nuk është kontaktuar nga Hoti.
“Deri tash janë përmendur 4-5 kandidatura. Ta shohim. Në politikë nuk ka ideale, as pëlqyeshmëri. Nuk më ka kontaktuar Andin Hoti. Unë do të përkrahi vendimet e partisë”, ka thënë Xhavit Haliti në një deklarim për media para se të fillojë mbledhja e grupit parlamentar të PDK-së.
“Jam kureshtar aq sa ju”, Kurti u përgjigjet gazetarëve për presidentin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është kureshtar po aq sa gazetarët për çështjen e presidentit.
“Jam kureshtar po aq sa ju”, u përgjigj Kurti në pyetjet e gazetarëve teksa hyri në sallën ku po e mban mbledhjen Grupi Parlamentar i VV-së.
GP i VV-së është mbledhur për ta diskutuar çështjen e presidentit, që është futur në orët vendimtare.
Nga ora 14:00 do të mblidhet edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.