Arbëri

Sami Lushtaku kandidon për t’u rikthyer në krye të Skenderajt

Sami Lushtaku

Sami Lushtaku është kandidat i Partisë Demokratike për kryetar të Komunës së Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Ai ka njoftuar të enjten se e ka marrë mbështetjen e degës së partisë.

“Ky vendim i imi erdhi si përgjigje ndaj besimit tuaj të vazhdueshëm ndaj meje në çdo palë zgjedhje, prej që jam futur në politikë. Kandidatura ime vjen edhe si rezultat i padrejtësive ndaj meje në të kaluarën, përfshirë mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm, si dhe më pas, moslejimi i kandidaturës sime në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Që nga viti 2021, me këtë komunë ka drejtuar Fadil Nura, i cili është po ashtu pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Nura u kandidua nga partia, pasi Lushtaku humbi të drejtën e kandidimit si pasojë e akuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Sami Lushtaku ka qenë kryetar i Komunës së Skenderajt për disa mandate. Ai u zgjodh për herë të parë në këtë post në vitin 2007, dhe më pas u rizgjodh në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013.

Mandatin e fundit e ushtroi deri më 2014 kur u arrestua, gjë që ndikoi në ndërprerjen e mandatit të tij.