Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se paga e një asamblisti në Kuvend Komunal mund të arrijë deri 1000 euro dhe e ka obligim të marrë pjesë fizikisht vetëm në një seancë. Kjo edhe është një prej arsyeve pse interesimi për të garuar për asamblist është i madh.
Në emisionin “Sot” të KTV-së ai ka thënë se arsyeja e dytë e interesimit të madh është se asamblistët ndikojnë në vendimmarrje të Komunës në forma joformale.
“Ekzekutivi i Komunës ka nevojë ta ketë shumicën në Kuvendin Komunal për vendimet e tij. Dhe shpeshherë, shumë komuna, nuk është lehtë e arritshme kjo. Ekzekutivi i shënjestron, i peshkon të themi, dy, tre, katër apo pesë asamblistë. Ju ofron favore të caktuara si punësim, kontrata, etj. Dhe e kanë nuhatur një kategori e njerëzve që përfitimi nga kjo pozitë nuk është vetëm përmes pagës është edhe forma tjera, për fat të keq është kështu”, tha Salihu.
Ai ka thënë faktor tjetër që e bën garën interesante për Kuvende Komunale është se në zgjedhjet e 12 tetorit votuesi mund të votojë një kandidat për kryetar komune dhe një asamblist.
“Secili asamblist duhet të vrapojë për secilën votë, për arsye se në të kundërtën rrezikon të mos jetë pjesë e Kuvendit Komunal”, tha Salihu.
Salihu ka hedhur dyshime se disa komuna kanë manipuluar me shifrat e popullatës, në mënyrë që të mos ketë rënie të numrit të asamblistëve e humbje të buxhetit.
“Më lejoni të them diçka preeliminare, jo krejtësisht zyrtare ose finale, kam arritur të kuptojë se në disa komuna është manipuluar me të dhënat e numrit të popullatës me qëllim që t’i ikin pasojave. Me qëllim që të kenë më tepër ulëse në Kuvend Komunal, të marrin më shumë buxhet, të kenë më tepër mësimdhënës e kështu me radhë”, tha Salihu. “...Shkarazi kam dëgjuar nga disa burime që ma kanë konfirmuar se në disa komuna të dhënat e popullatës janë manipuluar që t’i ikin pasojave. Që të kuptojmë, numri i popullatës është më i vogël se ky që është paraqitur nga ASK-ja”.