Arbëri

Salihu: Komunat mund të falimentojnë nëse nuk zgjidhet çështja e obligimeve përmbarimore

Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, ka ngritur shqetësimin mbi barrën financiare që po rëndon në komunat e Kosovës për shkak të obligimeve gjyqësore dhe përmbarimore, duke kërkuar që Qeveria e Kosovës ta marrë përsipër pagesën e tyre. Sipas tij, komunat mund të falimentojnë në kuptimin funksional në vitet në vijim pasi nuk do të mund të kryejnë shërbime, por vetëm do të kishin shpenzime.

Sipas të dhënave të publikuara nga GAP, komunat kanë paguar mbi 163 milionë euro në periudhën 2022–2024, ndërsa, siç thotë Salihu, rreth 208 milionë euro të tjera mund të shpenzohen në të ardhmen.

“Këto shifra kanë ndikuar që shumë komuna të pezullojnë apo heqin dorë nga projekte kapitale dhe të kërkojnë ndihmë nga qeveria qendrore”, ka thënë Salihu në Interaktiv të KTV-së.

Salihu thekson se obligimet përmbarimore nuk burojnë vetëm nga kontratat kolektive në arsim, por edhe në sektorin e shëndetësisë dhe nga një vendim i Qeverisë së Kosovës i vitit 2008 që garanton pagesa shtesë për mësimdhënësit në bazë të kualifikimit profesional.

Përveç kësaj, siç thotë ai, kompensime nga gjykatat po kërkohen edhe nga shërbyesit civilë, për çështje si përvoja e punës, shujta ditore, pagesa mbi bazë të inflacionit dhe shpenzimet për transport.

“Ne kemi rekomanduar që qeveria të marrë përsipër pagesën e këtyre detyrimeve, pasi shumica burojnë nga vendime dhe ligje të nivelit qendror. Të bëhet rishikimi i Ligjit për Pagat, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës. Të qartësohet statusi i vendimit të vitit 2008 për kualifikimet e mësimdhënësve dhe të përfshihen komunat në procesin e hartimit të çdo ligji apo vendimi të ri që mund të krijojë barrë financiare për to”, ka deklaruar tutje ai.

Salihu thotë se, pa ndërhyrje të nivelit qendror, komunat do të vazhdojnë të përballen me sfida serioze në ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin e projekteve për qytetarët. Madje, siç paralajmëroi ai, nëse kjo nuk zgjidhet, komunat mund të falimentojnë në kuptimin funksional.

“Nuk do të kenë mundësi të kryejnë punë, por vetëm të shpenzojnë”, shtoi Salihu.