Një përgjigje pozitive nga Gjykata Supreme, po e presin Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) pas padisë me të cilën kërkuan shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për procedurat e lajmërimit të pensionistëve, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Liridon Salihu nga CSL-ja, në emisionin “60 Minuta” në KTV, deklaroi se është Udhëzimi aktual është plotësisht në kundërshtim me të drejtat e pensionistëve, siç ka thënë, veçanërisht moskompensimi i pensioneve në mënyrë retroaktive për pensionistët që susoendohet nga pagesa si pasojë e moslajmërimit.
“Tash e 10 vjet sa është në fuqi ky Udhëzim adminisitrativ ne vlerësojmë që i njëjti ka cënuar dhe vazhdon të cënojë të drejtat e më shumë se 180 mijë pensionistëve të moshës. Të njëjtat vlerësojmë se janë arsye e fortë që ne e kemi dhënë para Gjykatës Supreme. Kemi argumentuar se këto dispozita duhet të shfuqizohen dhe se një cënim i tillë të mos vazhdojë edhe më tutje. Presim një përgjigje pozitive nga ana e Gjykatës Supreme, shfuqizimi i këtyre dispozitave të këtij udhëzimi administrativ do të nënkuptonte që të mos ndërprehej më pensioni për pensionistët që nuk kanë mundur të lajmërohen brenda afatit ligjor, gjithashtu ata që lajmërohen pas afatit, t’i marrin në mënyrë retroaktive pagesat”, deklaroi Salihu.
Sipas Salihut nëse anulohen dispozitat që i quajti diskriminuese, atëherë hapet rruga që secili pensionist të kërkojë t’i kthehen në mënyrë retroaktive pensionet të cilat i janë ndaluar nëse nuk është paraqitur brenda afatit ligjor.
“Nëse Gjykata Supreme i anulon këto dispozita atëherë hapet rrugë që secili pensionist, kur ka pasur raste që të njëjtit i është ndërprerë pensioni dhe nuk i janë kthyer mjetet në mënyrë retroaktive atëherë ka të drejtë të aplikojë që mjetet t’iu kthehen”, deklaroi Salihu.
Ndërsa kryetari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati, thotë se ka pasur edhe përpjekje të tjera në të kaluarën për ndryshimet e këtij udhëzimi por që ato sipas tij, kanë hasur në veshë të shurdhër. Sipas Kastratit është shumë e mundimshme për të moshuarit veçanërisht kur iu duhet të udhëtojnë deri në departamentin e pensioneve.
Kastrati në emisionin “60 Minuta” në KTV, poashtu tha se nuk kanë sinkronizim me ekipet mobile të cilat duhet të shkojnë nëpër shtëpitë e të moshuarve për verifikim.
“Do të kishte qenë mirë të ishte e sinkronizuar marrëveshja përmes lidhjes së pensionistëve dhe qeverisë. Ekipet mobile nuk sinkronizohen me ne, e që do të kishte qenë më së miri të sinkronizohen me ne sepse ne e dijmë situatën më mirë. Ka shumë pensionistë që nuk mund të dalin nga shtëpia dhe mund të shfaqen edhe ndërkohë të moshuar që mund të sëmuren dhe e humbin hapin për paraqitje për pension. Ka të tillë. Merren para që s’është paraqitë personi për muajt e caktuar dhe të njëjtat i merr qeveria. Ne nuk e dimë ku shkojnë ato para. Le të shkojnë te Lidhja e Pensionistëve”, deklaroi Kastrati.
Udhëzimi administrativ i 2015-s për procedurat e lajmërimit dhe suspendimin nga pagesa, obligon shfrytëzuesit e pensioneve të lajmërohen çdo gjashtë muaj në departamentin e pensioneve.
Nëse nuk lajmërohen brenda kësaj periudhe, ata suspendohen përkohësisht nga pagesa dhe kanë afat edhe tre muaj të tjerë për t’u lajmëruar në mënyrë që t’u kthehen mjetet.
Por në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej 3 muajsh, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim e pagesa nis të bëhet veç nga data e aplikimit.
Në Kosovë llogaritet të jenë mbi 300 mijë pensionistë.
Pensioni kontributpagues është 318 euro, varësisht nivelit të arsimimit, kurse pensioni bazik apo i moshës është 120 euro.