Arbëri

Saga gjyqësore i kushton shtetit nga 3 milionë euro çdo muaj për “veteranët e rremë”

Tash e një vit rasti i njohur si “Veteranët e rremë” është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Që atëherë gjykata ia ka kthyer aktakuzën Prokurorisë Speciale për plotësim. Seanca gjyqësore rreth rastit planifikohet të mbahet javën e ardhshme. E për çdo muaj të zvarritjes shteti shpenzon 3 milionë euro për 19 mijë veteranët që pretendohet se e kanë fituar këtë status në mënyrë të jashtëligjshme

Për çdo muaj shteti paguan nga 3 milionë euro në pritje të nisjes së procesit gjyqësor lidhur me rastin e veteranëve të rremë të luftës.

Aktakuza për rastin u dorëzua nga Prokuroria Speciale më 2018. Rreth 5 vjet më vonë rigjykimi ende nuk ka filluar. Të 12 të akuzuarit në këtë rast janë anëtarë të Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve, që në janarin e 2021-tës ishin liruar nga akuzat.

E më pas gjykata e shkallës së dytë e ka trajtuar ankesën e Prokurorisë Speciale, por për të marrë një vendim iu desh rreth një vit kohë. Kjo konfirmohet edhe në një përgjigje të këtij institucioni për KOHËN.

“Sa i përket pyetjes tuaj në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Veteranët”, ju informojmë se kjo lëndë gjendet në punë në gjykatën e shkallës së parë, pasi që me aktvendimin APS. nr.20/2021, të datës 21.3.2022, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë lëndë në rivendosje”, thuhet në përgjigjen e Apelit.

Që atëherë shtetit ka paguar edhe rreth 38 milionë euro për personat që dyshohet se janë përfshirë në listën e veteranëve pa i përmbushur kriteret ligjore.

Mosnisjen e rigjykimit e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Referuar kërkesës suaj për informacione, nga gjyqtari i çështjes jemi informuar se çështja penale, ku i akuzuar është A.Ç. etj., është kthyer në rigjykim vitin e kaluar. Ju njoftojmë se lidhur me këtë lëndë ka qenë e caktuar një seancë në dhjetor të vitit 2022, në të cilën i është kthyer aktakuza Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në plotësim, sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Themelores.

Nga ky institucion kanë deklaruar se seanca e radhës është caktuar për 15 mars.

Në vitin 2016, Komisioni qeveritar për verifikimin e veteranëve ka publikuar ​​një listë me 46 mijë emra që u vlerësuan si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por më 2017, pas një hetimi të kësaj liste, prokurori special Elez Blakaj ngriti aktakuzë me të cilën pretendohej se 19 mijë personat e përfshirë në listën e Komisionit ishin përfitues të jashtëligjshëm.

Të akuzuar në këtë rast janë anëtarët e Komisionit: Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.