Arbëri

Sadiku: Vetëvendosje mund të ketë rënie në zgjedhjet e reja, në këtë po kalkulon opozita

Analisti politik Arbnor Sadiku vlerëson se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje pritet të shënojë rënie krahasuar me rezultatin që kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke krijuar hapësirë më të favorshme për opozitën në ndërtimin e koalicioneve të mundshme.

Sadiku thotë se krahasimi i rezultateve – 51% në vitin 2021 dhe rreth 42% në zgjedhjet e 9 shkurtit – tregon se LVV-ja mund të vazhdojë të ketë rënie, edhe pse do të jetë partia e parë. Sipas tij, kjo e dobëson “legjitimitetin e sforcuar” që partia e Albin Kurtit kishte pas fitoreve të mëparshme.

“Këtu kalkulon edhe opozita, sepse nëse LVV dobësohet, koalicionet paszgjedhore do të bëhen më të lehta. Opozita do ta ketë më të thjeshtë të gjejë një partneritet qeverisës kur pesha e LVV-së bie”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Analisti thekson se pas zgjedhjeve, PDK-ja ose LDK-ja do të jenë të gatshme për bashkëpunim me Vetëvendosjen, për shkak të domosdoshmërisë për ta siguruar numrin e votave për zgjedhjen e presidentit.

“Nuk ka tjetër opsion për numrat. Pa VV-në, opozita nuk mund t’i zgjedhë tre pozitat kryesore. Absolutisht pritet të bien muret që janë krijuar mes partive. Edhe në të kaluarën ka pasur rivalitete mes partive, por është dashur të bashkëpunohet për institucionet”, ka theksuar Sadiku.

Sipas tij, propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë ishte pjesë e një narrative paraelektorale që synonte të paraqiste LVV-në si palë bashkëpunuese, por që opozita nuk tregoi gatishmëri, pavarësisht këtij propozimi.

Po ashtu, Sadiku thotë se edhe bisedimet e fundit të LVV-së me AAK-në nuk kanë pasur qëllim real për krijimin e një qeverie të përkohshme.

“Ky koalicion do ta dëmtonte Vetëvendosjen, sepse do të binte ndesh me zotimet e saj se nuk bën pazare. LVV nuk ka qenë serioze për një qeveri të përkohshme”, ka thënë ai.

Sadiku vlerëson se pas skadimit të afatit kushtetues, zgjedhjet e reja parlamentare ka gjasa të mbahen më 21 ose 28 dhjetor.

Sipas analistit, Nisma dhe AAK-ja rrezikojnë seriozisht të mos e kalojnë pragun zgjedhor nëse garojnë të vetme. Megjithatë, ai thotë se të dyja subjektet pritet të tentojnë koalicione me partitë e mëdha opozitare për të siguruar hyrjen në Kuvend.

“Nisma është më e rrezikuara, por ka gjasa të bashkëpunojë me LDK-në”, deklaroi ai.

Konjufca u mandatua më 4 nëntor për formimin e qeverisë. Ai ka kohë edhe pesë ditë për të tentuar sigurimin e 61 votave. Nëse dështon, shkohet automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 26 tetor, dështoi formimi i “Qeverisë Kurti 3”. Mori vetëm 56 vota.