Arbëri

Sadiku: Në kuptimin politik, Kurti kapitulloi me pranimin e Asociacionit

Analist politik Arbnor Sadiku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuptimin politik, ka kapitulluar pasi pranoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje, që sipas Sadikut, e kishte kundërshtuar dhe e kishte sjell në pushtet.

Kurti ka pranuar se në takimin e djeshëm [e enjte] në Bruksel me liderët evropianë ka pranuar draftin modern të Asociacionit, për të cilin të premten ka thënë se do të kontrollohej nga Gjykata Kushtetuese nëse i vlen kushtetueshmëria. Por ka shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq refuzoi të nënshkruante.

Analisti Sadiku tutje shprehet se në kutin e një burrështetasi, Kurti bëri hap pozitiv.

“Ky është kapitullim, në kuptimin politik, nëse e marrim Kurtin me kutin e opozitarizmit të tij. Por me kutin e një burrështetasi mendoj që është hap pozitiv sepse Kosova ka shumë nevojë të kalojë nga një vend që prodhon kriza, në një vend stabil”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sadiku beson se drafti i Asociacionit i prezantuar nga BE-ja do t’i japë shumë kompetenca serbëve të Kosovës, por kjo do të vërehet, sipas tij, pas implementimit.

“Kurti tashmë e pranon e Asociacionin dhe tani është duke tentuar se si ta implementojë më lehtë. Në të njëjtën kohë, t’i bind qytetarët, veçanërisht votuesit e tij që është pjesa më militanteske e tij që kanë qenë kundërshtarë të këtij Asociacioni, se si ky Asociacion do të jetë i përballueshëm. Natyrisht, në këtë rast, ‘doktorë-spinët’ juridik të Borrellit dhe Lajçakut do të kujdesen që kjo marrëveshje në praktikë të jetë një pushtet që i jep autonomi serbëve në Kosovë, por në terminologjinë juridike të jetë i përputhshëm me Kushtetuesen. Dallimet janë në aspektin pragmatik, dhe kur të fillojë të implementohet do ta vërejmë se i kemi dhënë mjaft shumë kompetenca serbëve”, ka thënë ai.