Arbëri

Sadiku: Kurti nuk do ta bëjë Asociacionin pa e fituar edhe një mandat tjetër

Analisti, Arbnor Sadiku ka thënë se Kosova dhe Serbia do të duhej të silleshin ndryshe sidomos pas vërejtjeve të Raportit të Progresit.

Sipas tij, për të dyja vendet vërejtjet kanë qenë për moszbatimin e marrëveshjeve.

Sadiku në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në disa elemente Kosova ka qenë më kritikuar, kjo sipas tij, për shkak të papërgjegjësisë së liderëve të vendit.

Duke folur për formimin e Asociacionit, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti qëllimisht ka vendosur disa kushte për formimin e tij në mënyrë që ta shtyjë atë deri në zgjedhjet tjera ku pretendon ta fitojë edhe një mandat tjetër.

“Kosova nuk do të duhej ta kishte kopje Serbinë dhe sjellja jonë politike nuk do të duhej të ishte sipas formës strukturore. Kosova në vazhdimësi është marrë me formën e problemit dhe jo përmbajtjen e tij. Kosova do të duhej të kishte më shumë dialog me serbët e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, draftet e Asociacionit që kanë qarkulluar kohëve të fundit nuk kanë qenë në favor të Kosovës.

Ka thënë se fakti që negociohet me Serbinë, i bie që Kosova duhet të ketë një kompromis.

Sadiku ka thënë se “sa i përket liderit të VV-së sa ishte në opozitë, pranimi i Asociacionit është kapitullim klasik, kurse si kryeministër, Kurti ka bërë një progres pozitiv që ka pranuar një Asociacion të tillë, ndonëse nuk është i favorshëm për ne”.

“Ky Asociacion i merr disa kompetenca nga niveli qendror edhe pse nuk thuhet publikisht. Ky Asociacion nuk është asgjë tjetër përveç se një pushtet i tretë”, ka thënë ai.

Sipas tij, formimi i Asociacionit e heq rrezikun e sulmeve të ngjashme si ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Sadiku ka thënë se Kurti qëllimisht i ka vendosur disa kushte për formimin e Asociacionit, me qëllim që ai të mos bëhet pa e marrë mandatin e dytë.

“Para këtyre zgjedhjeve, Kurti nuk do ta zbatojë Asociacionin”, ka thënë ai.

Sadiku ka thënë se Qeveria ka bërë mirë kur u ka thënë jo mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.