Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tani anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vlerësuar se vitin që lamë pas e kanë përcjellë tri çështje që kanë ndikuar për të keq në ekonominë e vendit, e që sipas tij Qeveria nuk ka bërë asgjë për t’i përmirësuar.
Rukiqi ka thënë se inflacioni i lartë, deficiti i lartë tregtar dhe norma e rritjes ekonomike kanë bërë që vendi të jetë nën mesataren ekonomike të 10 vjetëve të fundit.
“Tri çështje bazë e kanë karakterizuar vitin e kaluar sa i përket ekonomisë, vazhdimi i inflacionit të lartë ka bërë që viti të përmbyllet me 5 për qind mesatare të normës se inflacionit. E dyta lidhet me deficitin e lartë tregtar, e kemi mbyllur vitin me 5 miliardë deficit tregtarë dhe çështja e tretë që është goxha problematike është norma e rritjes ekonomike, që ka qenë pak më shumë se 3 për qind, që të njëjtën kohë është nën mesataren e 10 vjetëve të fundit”, ka thënë ai në një intervistë për EO.
Tutje, Rukiqi vlerëson se pavarësisht këtyre tri problemeve, Qeveria nuk ka bërë asnjë veprim që të përmirësojë gjendjen me çmimet e larta. Sipas tij, ekzekutivi është duke shfaqur më shumë arrogancë se sa veprime politike që do ta ndryshonin gjendjen.
“Nëse kemi tri probleme kyçe, pra deficitin, inflacionin, normën e rritjes ekonomike dhe nuk e kemi asnjë veprim të Qeverisë, qoftë në periudha afatshkurtra, qoftë periudhë afatmesme. Pra mungojnë komplet këto veprime, nuk e kemi asnjë politikë e më shumë kemi shfaqje të arrogancës, pastaj, hiperbolizim të përqindjeve përmes grafikoneve të ndryshme të manipuluara” tha Rukiqi.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe sa i përket çmimit të lartë të energjisë elektrike, ku ka potencuar se kjo rritje e çmimit ka ardhur si shkak i mosmarrjes së masave nga ana e shtetit.
Edhe
Hoti kritikon Qeverinë: Rritja e çmimit të energjisë dhe naftës po rëndon qytetarët
Rukiqi ka thënë se duke marrë parasysh se situata ka qenë e vështirë për qytetarët, është dashur që TVSH-ja për energjinë elektrike të jetë zero.
“Përgjegjësia është në tri nivele, përgjegjësia e parë është rritja e çmimit të energjisë dy herë radhazi, një herë si pasojë e importit të shpejtë të energjisë elektrike jashtë planeve që kanë qenë. Rritja e jashtëzakonshme e tarifave dhe ne kemi parë kontrata të dyshimta, shitblerjen e energjisë elektrike dhe si pasojë e energjisë elektrike të importuar ne kemi pasur një rritje të tarifave nga ZRRE-ja. Pastaj niveli i dytë i përgjegjësisë vjen mbi atë se prapë ka pasur rritje këtë vit, 15 për qind, po krahas kësaj rritje nuk është bërë as një veprim, sidomos nga ato që ne kemi propozuar siç është rasti me uljen e TVSH-së, që është 8 për qind në energjinë elektrike si produkt, si shërbim këtë rast edhe që do të duhej që të ishte zero”.
Rukiqi ka thënë se subvencionimet e bëra nga qeveria janë populsite si masa dhe se ato nuk kanë efekt dhe nuk e zbutin situatën.