Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ruiz-Calavera: Së shpejti KE del me një propozim që liberalizimin e vizave ta bëjmë realitet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera.

Kjo e fundit vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur mbështetje të mëtejme të Komisionit Evropian për proceset dhe reformat evropiane në Kosovë.

“Vizita ime në Prishtinë ka të bëjë me pasqyrimin se ku jemi si Kosovë dhe BE, përkatësisht në implementimin në Agjendën e Reformës Evropiane, konkretisht në reformat e rëndësishme në sundimin e ligjit, qeverisjes së mirë, edukimit dhe punësimit, që janë tejet të rëndësishme. Ne kemi parë progres dhe kemi diskutuar për punën dhe sfidat që na presin. Jam shumë e lumtur që në Agjendën e Reformës Evropiane dhe në programin e reformës ekonomike ne jemi duke punuar së bashku”, ka thënë në prononcim para medieve Ruiz-Calavera, duke shtuar se shumë shpejt do të vijnë me një propozim “në mënyrë që procesin e liberalizimin ta bëjmë një realitet”.

Ndërsa, Kryeministri Haradinaj, në konferencën për media pas takimit me Ruiz-Calavera, tha se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s, dhe tha se në këtë rrugë presim përkrahje më të madhe dhe më të vendosur të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, Haradinaj tregoi për progresin e arritur në vend, fuqizimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, përmbushjen e agjendës evropiane, procesin e dialogut, raportet fqinjësore dhe të arriturat e tjera në vend, duke theksuar përkushtimin e vendit për rrugën euro-atlantike.

“Fokus i bisedës tonë ishin prioritetet e agjendës europiane për Kosovën, reformat në rend dhe ligj dhe ato në administratën publike dhe arsim, e po ashtu është biseduar edhe për punët e kryera, por edhe për sfidat. Jam thellë i bindur se në javët dhe muajt që vijnë edhe nga sugjerimet e drejtoreshës për Zgjerim do të shënojmë rezultate, pikërisht në ato që sot janë tema kyçe”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.