Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rugovasit kërkojnë rindërtimin e rrugës Pejë-Kuqishtë

Ka vite që rruga nga Peja deri në Kuqishtë të Rugovës nuk i plotëson kushtet të quhet rrugë lokale e lëre më rrugë magjistrale, që është si segment rrugor i magjistrales M9. Banorët e kësaj treve vazhdimisht kanë shprehur ankesa dhe kërkesat e shumta për rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge pasi, sipas rugovasve, kjo rrugë, mbi të gjithat, ka rëndësi jetësore për zhvillimin e kësaj treve.

Rruga Pejë-Kuqishtë çdo pranverë del prej dimrit gjithnjë më e shkatërruar, me gropa, asfalt të çarë dhe rrëshqitje të gurëve. Ankesat e banorëve për gjendjen e rrugës kanë qenë të vazhdueshme, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë që të intervenohet në tërë gjatësinë e saj, përveç mbushjes së gropave dhe shtrimit të ndonjë shtrese asfalti vende-vende nga operatori i kontraktuar prej Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtje të këtij segmenti rrugor të magjistrales M9.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo rrugë ka rëndësi jetësore për zhvillimin e kësaj treve. Prandaj prioritet për banorë janë rindërtimi dhe zgjerimi i rrugës nga Peja deri në Kuqishtë. Kështu si është dhe nëse nuk rindërtohet, po humbin koha, turizmi, durimi, zhvillimi...”, përcjell ankesat e bashkëtrevasve të tij, Agron Nikçi, kryetari i njërës prej dy bashkësive territoriale në Rugovë.

Nikçi thotë se banorët e Rugovës janë të shqetësuar, sepse në këtë kohë, sipas tij, rruga nuk i plotëson standardet dhe kërkesat që janë të nevojshme. “Me këtë gjendje që është rruga, e ndalon zhvillimin e duhur në këtë trevë dhe për këta banorë dhe si vend turistik shkakton pengesa përderisa nuk bëhet një qasje më e mirë, më e shpejtë dhe më e sigurt”, thotë ai.

Rugovasit e shohin problem të madh edhe rrëshqitjen e gurëve e të dheut që shkakton pasiguri, pasi këto rrëshqitje kanë nisur të dëmtojnë edhe disa mure mbrojtëse në atë rrugë. Prandaj, siç thotë Nikçi, rugovasit kërkojnë gjithsesi rindërtimin e kësaj rruge nga themeli i saj.

Aktualisht në këtë rrugë vetëm bëhet mirëmbajtja e saj nga operatori i kontraktuar prej Ministrisë së Infrastrukturës. “Me kontratë e kemi vetëm mirëmbajtjen dimërore dhe verore të kësaj rruge. Rruga është e dëmtuar goxha shumë prej viteve, edhe para se ne me pasë mirëmbajtjen. Varësisht prej urdhëresave që marrim prej Ministrisë për me krye punë tjera, na i realizojmë. Nëse na thonë me asfaltua ndonjë kilometër apo me ndërtua ndonjë mur mbrojtës, ne e bëjmë. Por aktualisht nuk kemi ndonjë urdhëresë për ndonjë punë të tillë”, thotë Jahir Lika, nga kompania “Lika Trade”, që mirëmban këtë rrugë.

Ndreqjen e asaj rruge me mirëmbajtje nuk e sheh si zgjedhje Sami Maloku, menaxher në Ministrinë e Infrastrukturës për mirëmbajtje të rrugëve magjistrale në rajonin e Pejës. “Mirëmbajtja nënkupton një harrnim dhe ndonjë shtresë më të gjatë të asfaltit në ndonjë pjesë të rrugës, e kjo nuk është zgjidhje. E përpos mirëmbajtjes nuk ka asgjë tjetër në atë rrugë. Ne jemi vazhdimisht aty me mbylljen e ndonjë grope, në sanim... çka i takon mirëmbajtjes së rrugëve. Thjesht, me përkthye në gjuhën e popullit, veç po harrohet”, thotë Maloku.