Arbëri

Rugovasit kërkojnë rindërtimin e rrugës Pejë-Kuqishtë

Ka vite që rruga nga Peja deri në Kuqishtë të Rugovës nuk i plotëson kushtet të quhet rrugë lokale e lerë më rrugë magjistrale, që është si segment rrugor i magjistrales M9.

Banorët e kësaj treve vazhdimisht kanë shprehur ankesa dhe kërkesat e shumta për rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge, pasi sipas rugovasve kjo rrugë mbi të gjithat ka rëndësi jetësore për zhvillimin e kësaj treve.

Rruga Pejë-Kuqishtë çdo pranverë del prej dimrit gjithnjë më e shkatërruar, me gropa, asfalt të qarë dhe rrëshqitje të gurëve. Ankesat e banorëve për gjendjen e rrugës kanë qenë të vazhdueshme, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë që të intervenohet në tërë gjatësinë e saj, përveç mbushjes së gropave dhe shtrimit të ndonjë shtrese asfalti vende vende nga operatori i kontraktuar prej Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtje të këtij segmenti rrugor të magjistrales M9.

“Kjo rrugë ka rëndësi jetësore për zhvillimin e kësaj treve. Prandaj prioritet për banorë është rindërtimi dhe zgjerimi i rrugës nga Peja deri në Kuqishtë. Kështu si është dhe nëse nuk rindërtohet, po humbet koha, turizmi, durimi, zhvillimi...”, përcjellë ankesat e bashkëtrevasve të tij, Agron Nikçi, kryetari i njërës prej dy Bashkësive Territoriale në Rugovë.

Nikçi thotë se banorët e Rugovës janë të shqetësuar sepse në këtë kohë sipas tij rruga nuk i plotëson standardet dhe kërkesat që janë të nevojshme.

“Me këtë gjendje që është rruga, e ndalon zhvillimin e duhur në këtë trevë dhe për këta banorë dhe si vend turistik shkakton pengesa përderisa nuk bëhet një qasje më e mirë dhe më e shpejtë dhe ma e sigurt”, thotë Nikçi.

Rugovasit e shohin problem të madh edhe rrëshqitjet gurëve edhe dheut që shkaktojnë pasiguri, pasi këto rrëshqitje kanë nisur të dëmtojnë edhe disa mure mbrojtëse në atë rrugë. Prandaj, siç thotë Nikçi rugovasit kërkojnë gjithsesi rindërtimin e kësaj rruge nga themeli i saj.

Aktualisht në këtë rrugë vetëm bëhet mirëmbajtja e saj nga operatori i kontraktuar prej Ministrisë së Infrastrukturës.

“Me kontratë e kemi vetëm mirëmbajtjen dimërore dhe verore të kësaj rruge. Rruga është e dëmtuar goxha shumë prej viteve, edhe para se ne me pasë mirëmbajtjen. Varësisht prej urdhëresave që marrim prej ministrisë për me krye punë tjera, na i realizojmë. Nëse na thonë me asfaltua ndonjë kilometër apo me ndërtua ndonjë mure mbrojtës, ne e bëjmë. Por aktualisht nuk kemi ndonjë urdhëresë për ndonjë punë të tillë”, thotë Jahir Lika, nga kompania “Lika Trade”, që mirëmban këtë rrugë.

Ndreqjen e asaj rruge me mirëmbajtje nuk e sheh si zgjedhje Sami Maloku, menaxher në Ministrinë e Infrastrukturës për mirëmbajtje të rrugëve magjistrale në Rajonin e Pejës.

“Mirëmbajtja nënkupton një harrnim dhe ndonjë shtresë më të gjatë të asfaltit në ndonjë pjesë të rrugës, e kjo nuk është zgjidhje. E përpos mirëmbajtjes nuk ka asgjë tjetër në atë rrugë. Ne jemi vazhdimisht aty me mbylljen e ndonjë grope, në sanim... çka i takon mirëmbajtjes së rrugëve. Thjeshtë me përkthye në gjuhën e popullit, veç po harrohet”, thotë Maloku.

Ajo rrugë, sipas tij duhet të rindërtohet, të riparohet dhe duhet të ndërtohen galeritë për mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik.

“Ajo rrugë duhet të rindërtohet. Ai është një projekt që donë studim, që donë investim të madh që me i shërbye popullit edhe si aset kulturor e turistik, si mundet me pas Rugova. Pa i bë gjitha këto, gjitha mbesin sikur duke ecur nëpër teh të shpatës, sepse mirëmbajtja nuk mund e kthen ne veti atë rrugë”, thotë Maloku.

Në mars të vitit të kaluar, ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kishte premtuar në Pejë, se në kuadër të mirëmbajtjes do të asfaltohet e gjitha rruga dhe do të ndërtohen mure mbrojtëse. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë metër të kësaj rruge, e as sivjet nuk do të ndodhë rindërtimi i rrugës siç kërkojnë banorët, pasi nuk figuron asnjë cent për sivjet në listën e investimeve të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Sa i përket investimeve kapitale në ndërtim, rehabilitim apo zgjerim të këtij segmenti rrugor për vitin kalendarik 2020, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit në mungesë të mjeteve financiare është planifikuar të fillojë me projektin ‘Ndërtimi i Urës në Drelaj’ dhe për këtë projekt janë ndarë 300 mijë euro”, thotë Mehdi Qorraj, udhëheqës i Divizionit për Ndërtim dhe Rekonstruktim të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ai tregon se për komunitetin rugovas janë planifikuar të realizohen edhe dy projekte rrugore. Ndërtimi i rrugës “Kuqishtë-Pejë” dhe asfaltimi i rrugës “Drelaj – Llutovë – Pepaj”.

Për asnjërin prej këtyre dy projekteve nuk tregohet se për kurë janë planifikuar dhe sa mjete do të ndahen për realizimin e tyre. Për ta bërë nga e para rrugën Pejë-Kuqishtë, sipas Sami Malokut, menaxher në Ministrinë e Infrastrukturës për mirëmbajtje të rrugëve magjistrale në Rajonin e Pejës, do të duheshin mbi 10 milionë euro, për ta bërë atë rrugë me standardet që duhet ti ketë një rrugë malore shumë e frekuentuar.

Rruga Pejë-Kuqishtë është asfaltuar në vjeshtën e vitit 2004. Mirëpo, jo shumë gjatë pas asfaltimit, rruga me vetëm 7 centimetra asfalt të shtruar, filloi të dëmtohet. Fillimisht para se të realizohej ky projekt, ishin premtuar 4 milion euro për rindërtimin dhe asfaltimin e kësaj rruge magjistrale.

Por, nga 4 milionë euro buxheti i projektit kishte rënë në rreth 2.4 milionë euro, dhe në këtë përgjysmim të mjeteve pastaj kanë lindur edhe problemet në këtë rrugë të ndërtuar pa drenazh dhe pa mure mbrojtëse. Kjo rrugë atë vit nuk është punuar me një projekt kryesor por vetëm me një projekt ideor me mangësi të mëdha, i cili është konsideruar më vonë si burim i të gjitha problemet që janë shfaqur në këtë rrugë në vitet në vijim.