Bashkëpunimi i komunitetit kulturor dhe politik e ka sjellë bienalen evropiane nomade “Manifesta 14” në Prishtinë sivjet, ka thënë ish-zëvendësministri i Kulturës, Yll Rugova.
Në emisionin “Sonte me Rronin”, të mërkurën, Rugova tha se Manifesta i sjell shumëçka Kosovës, e të cilën e quajti investimin më të madh ndonjëherë sa i përket kulturës në vend. Eventi shëtitës kulturor nis më 22 korrik.
“Manifesta na jep një shans që të jemi në dialog ndërkombëtar sa i përket artit bashkëkohor, tjetër është zhvillimi urban i qytetit të Prishtinës sepse po i sjellim disa sy të jashtëm në Prishtinë. Është një kontribut i madh për të cilin ne duhet të reflektojmë”.
Ai ka treguar se çfarë argumentesh u janë dërguar organizatorëve të Manifestas për ta sjellë një edicion edhe në Kosovë.
“Ideja e hapësirës së përbashkët vazhdon të jetë sfidë për konceptim veçanërisht se në vitet 90 e kemi humbur qasjen në hapësirën publike. Është dashur të krijojmë disa të reja nëpër kafe, palestra, bodrume për ta pasur një jetë kinse normale. Ne e kemi humbur një raport me muzeun, shumë pak njerëz shkojnë në muze, që ajo është hapësirë e përbashkët publike. Është kjo narrativë që iu ka dërguar Manifestat pse na vyejnë neve ata që të vijnë këtu”.
Edhe
Yll Rugova: “Manifesta” në Prishtinë, ngjarja e duhur në kohën e duhur
Manifesta, tha Rugova, po sjell vetëdijesim për trashëgiminë kulturore në Kosovë. Theksoi se ruajtja e trashëgimisë nuk bëhet duke e mbyllur atë, por se ruhet duke e funksionalizuar, një gjë që Manifesta e bën me hapësirat e pashfrytëzuara në vend.
“Ata po donë me i pru praktikat më të reja sa i përket urbanizmit në Kosovë. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore e ka edhe një komponent shumë të mirë, Manifesta këtu, sepse po na kthjell edhe ne se ruajtja e trashëgimisë nuk është mshelja e saj dhe lënia aty por funksionalizimi i një hapësire te caktuar duke mos e shkatërruar atë”.
“Logjika që të prishim muzetë, kinematë, teatrot për të ndërtuar qendra tregtare është krimi më i madh që mund t’i bëhet këtij qyteti”.
Rugova ka përmendur historikun e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe lënia në harresë e komponentëve që ndodhen në muze por nuk janë të regjistruar. Ai e quajti tragjike që kulturën po e shkatërrojnë vetë njerëzit e Kosovës.
“Muzeu Kombëtar i Kosovës si institucion është mbaruar në shekullin 18, familja Gjinolli që ka qenë udhëheqëse e Prishtinës e ka mbaruar shtëpinë e vet muze, ka pasur koleksion të armëve dhe rrobave dhe ka qenë ai koleksion aty deri në shek. 20. Kur ka ardhur komunizmi, regjimi jugosllav e ka marrë koleksionin dhe e ka formuar muzeun e Kosovës. Ai koleksion është ende diku në koleksionin e Muzeut të Kosovës në 50 mijë eksponentët që i ka, por ne nuk e dimë më çka ka aty sepse prej vitit 1999 i kemi humbur regjistrat dhe ne nuk kemi provuar më të marrim edhe një regjistrim të ri me pa çka ka aty. Kjo është mënyrë si e shkatërron kulturën. Po në Serbi t’i kanë marrë 1700 ekspononte por 50 mijë të tjera që i ke në bodrum nuk je marrë me to. Aq sa na ka shkatërruar regjimi serb, ne jemi gati vetes duke ia bë sa i përket kulturës, dhe kjo për mua është tragjike”.
Adrian Berisha, ish-drejtor i Kulturës në Prishtinë, ka thënë se Manifesta vjen me idenë e shfrytëzimit të hapësirave publike të harruara, për funksione të ndryshme.
Edhe
“Manifesta 14” dhe naiviteti shtetëror pesë milionë eurosh
“Pas luftës ka qenë një qasje neo-liberale sa i përket hapësirës publike dhe procesi i privatizimit ka qenë i krijuar ashtu që tu jepet përparësi korporatave, çmimi më i lartë e ka fituar përdorimin e një hapësire. Hapësirat publike në qytet dhe fshatra duhet të trajtohet ashtu që tu jepet mundësi edhe qendrave kulturore”, tha ai.
Sipas Berishës, ka interesim të jashtëzakonshëm vitet e fundit sa i përket shfrytëzimit të hapësirave publike.