Kulturë

Shteti do strategji që ta bëjë “Kosovën kreative” lidere në Ballkan

Paneli “Ekonomia kreative në perspektivë”

Paneli “Ekonomia kreative në perspektivë” është mbajtur në kohën kur Qeveria e Kosovës, siç është njoftuar në prezantim, “po fillon hartimin e strategjisë së ekonomisë kreative, me qëllim të përafrimit të orientimeve strategjike të vendit me politikat e Bashkimit Evropian dhe trendet zhvillimore në nivel ndërkombëtar” (Foto: MKRS)

Në panel diskutimi me zyrtarë të shtetit, Kosova ose është ose do të bëhet lidere për industrinë kreative në Ballkanin Perëndimor. E, shembull për ekonomi kreative është edhe “Manifesta 14” që u përkrah me 4 milionë euro, me statistika, ia ktheu investimin katërfish përgjatë 100 ditëve sa u mbajt, por që sot s’e mban dot asnjë shenjë të vetme. Megjithatë në frymë optimiste është mbajtur paneli “Ekonomia kreative në perspektivë”

Përderisa institucionet shtetërore të kulturës – veçmas në mungesë të kushteve – nuk gjenerojnë të hyra, ose e bëjnë këtë fare pak, shteti sheh shumë potencial ekonomik tek ajo që quhet “ekonomi kreative”. Vendet e zhvilluara nxjerrin statistika, si për njërën prej ekonomive me rritjen më të shpejtë, ndërkaq Kosova mat perspektivën e saj. 

“Ekonomia kreative në perspektivë” ka qenë tema e panelit të mbajtur të enjten në Prishtinë. Nëntitulli: “Potenciali kreativ, motor i zhvillimit të qëndrueshëm social dhe ekonomik në Kosovë”. Ka bashkuar në panel e në audiencë, ministra e akterë të skenës kulturore vendore dhe jo vetëm. Paneli është mbajtur në kohën kur Qeveria e Kosovës, siç është njoftuar në prezantim, “po fillon hartimin e strategjisë së ekonomisë kreative, me qëllim të përafrimit të orientimeve strategjike të vendit me politikat e Bashkimit Evropian dhe trendet zhvillimore në nivel ndërkombëtar”. 

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka dhënë shembuj kur ka folur për potencialin e ekonomisë kreative. Ka përmendur bienalen nomade evropiane të artit “Manifesta 14”, e mbajtur në Prishtinë në vitin 2022, e që shtetit i kushtoi 4 milionë euro. 

“Potencialin e ekonomisë kreative e shoh në dy rrafshe: i pari ka të bëjë me rezultatet që vijnë për shumë vite nga arena ndërkombëtare për artistët dhe organizatën kulturore dhe institucionet kulturore të Kosovës. Para pak kohësh kishim çmimin e parë në Zamora të Spanjës nga ansambli ‘Shota’ e shumë çmime të tjera të institucioneve dhe artistëve. Pra, kemi cilësi dhe tashmë nuk janë vetëm suksese vendore, por edhe ndërkombëtare të dëshmuara për disa vite radhazi, si dhe e dyta ka të bëjë me aspektin ekonomik. Studimi për ndikimin socio-ekonomik të ‘Manifestës’, e ka dëshmuar këtë raportin e investimit në kulturë që është 1 me 4. Çdo një euro që është investuar për ‘Manifestën’, ajo ka gjeneruar të paktën katër euro shtesë si vlerë e shtuar për ekonominë vendëse”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, një shembull tjetër është ai i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”. “Edhe ‘DokuFesti’ i ka disa studime të tilla. Prej tyre, në vitin 2023, nga të dhënat e ATK-së, bizneseve u janë ngritur për 30 për qind të hyrat gjatë ditëve sa mbahej festivali atje, por edhe një rritje në eksportin në fushën e modës”, ka thënë ai. 

Sa për “Manifestën”, sot nuk ka asnjë shenjë prej saj, ani pse ishin premtuar ndërhyrje radikale. Statistikat, të cilave u është referuar ministri Çeku, janë ato që i kishte prezantuar vetë “Manifesta” në qershorin e vitit 2023, bazuar në raportin e Institutit “GAP”. Gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të 2022-tës, “Manifesta” kishte angazhuar edhe kompani lokale për intervista formale me pyetësorë për vizitorët. E vetmja shenjë e këtij organizimi, qe shndërrimi i ish-ndërtesës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Qendrën për Praktikë Narrative. U investuan 850 mijë euro për restaurimin dhe funksionalizimin e saj dhe u mbyll në fillim të këtij viti në mungesë financash. 

Por megjithatë, ministri Çeku pas panelit ka shkruar në rrjete sociale për “një politikë të re kulturore dhe zhvillimore”. 

“Qeveria e Kosovës po fillon hartimin e strategjisë së ekonomisë kreative, një hap kyç drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovativ të sektorit kulturor dhe krijues. Përmes saj, synojmë ta fuqizojmë potencialin e madh të individëve krijues dhe të industrive kulturore, duke ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe konkurrues në nivel lokal e ndërkombëtar”, ka shkruar ai. Për të, ekonomia kreative është një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike, punësimit dhe inovacionit në botë dhe përmes “kësaj strategjie do të formësohet vizioni i përbashkët i akterëve kyç për ekonominë kreative dhe dizajnimi i veprimeve për transformimin e Kosovës në qendër rajonale të inovacionit në prodhimin kulturor”. 

Kosova si “qendër rajonale e inovacionit në prodhimin kulturor”, nuk ka as sallë koncertale tash 25 vjet. Ato që janë, s’i bëjnë ballë as shiut. 

Në terme të përgjithshme për ekonominë kreative ka folur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ka thënë se ajo kontribuon në rritjen ekonomike, por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare e se industria kreative në Kosovë është shumëdimensionale falë rinisë që po kontribuon në këtë. 

“Ne me ministritë e tjera jemi duke bashkëpunuar së bashku për t’i zbërthyer dhe shpalosur këto potenciale dhe janë shumë aktivitete dimensionale që janë duke u angazhuar rinia jonë në ekonominë kreative. Vlen të përmendet së pari, dizajni, arkitektura, media digjitale dhe më shumë, por edhe dizajnin grafik, pastaj ky sektor i ekonomisë kreative kontribuon në rritjen ekonomike, por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çka mund të përmend te industria që është iniciativa për dizajn, që është dizajni grafik, dizajnin e produkteve inovative që ndërthurin estetikën tradicionale dhe bashkëkohore që është një potencial i madh i kreativitetit në ekonominë tonë”, ka thënë ministrja Hajdari. 

Por optimizmi i saj ka qenë edhe më i madh. Kosova, sipas saj, është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative dhe klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm.

Në panel ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe sipas saj, “procesi i hartimit të strategjisë ofron platformë të ndërveprimit të institucioneve qendrore, institucioneve lokale, pionierëve dhe ekspertëve të fushës nga Evropa dhe Britania e Madhe, shoqërisë civile, krijuesve kreativë dhe kontribuuesve të tjerë relevantë”. Ka dhënë edhe një tjetër konstatim. “Në shkollat, në universitetet tona, në institucione, të rinjtë tanë, nxënësit, studentët, stafi që punon me të rinjtë, shpeshherë janë edhe më kreativë sesa vetë politikat tona, duke ofruar edhe zgjidhje e mundësi të shumta”, ka thënë ajo. 

Sipas Ministrisë së Kulturës, procesi i hartimit të strategjisë ofron platformë të ndërveprimit të institucioneve qendrore, institucioneve lokale, pionierëve dhe ekspertëve të fushës nga Evropa dhe Britania e Madhe, shoqërisë civile, krijuesve kreativë dhe kontribuuesve të tjerë relevantë. 

“Ky proces mundëson formësimin e vizionit të përbashkët të mozaikut të larmishëm të akterëve kyç për ekonominë kreative dhe dizajnimin e veprimeve për transformimin e Kosovës në qendër rajonale të inovacionit në prodhimin kulturor”, shkruhet në njoftim.