Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rudina Lushaku, imazhi i HANDIKOS-it me shumë vullnet për jetë

Pavarësisht pengesave që has vazhdimisht, Rudina Lushaku ka zgjedhur rrugën e optimizmit dhe të dhënies së vullnetit për personat me aftësi të kufizuara. Si fytyra e fushatës së fundit të HANDIKOS-it, Lushaku ka thënë se po mundohet të japë vullnet për të gjithë personat me aftësi të kufizuara që të mos dorëzohen kurrë.

Një video postuar më 1 mars nga HANDIKOS-i me Lushakun në qendër, për të dhënë udhëzime se si njerëzit me aftësi të kufizuara të veprojnë në rastet kur hasin në diskriminim si rezultat i pengesave në qasje, u bë virale në rrjetet sociale.

Për të, në emisionin SOT në KTV, Lushaku ka thënë se kur është ftuar “as që kam menduar dy herë dhe menjëherë kam thënë po”.

“Po luftoj për të drejtat tona, me mundësitë e mia, që një e ardhme të jetë pak më e lehtë për ne, sidomos për njerëzit që janë në karrocë e që kanë edhe më shumë vështirësi. Kam shumë komente të mira. S’e kam besuar që ka për t’u bërë kaq e madhe. Tash vonë e kam hap faqen për të dhënë mesazhe e për të treguar jetën time çdo ditë”, ka thënë ajo.

Lushaku ka treguar se kishte lindur me probleme, ndërsa nuk kishte mundur të ecte si e vetme deri më 2016.

“Kam lind kështu. 19 operacione i kam pas. Kam qenë e palëvizshme. Me ndihmën e dikujt kam ecur. Kam qenë tepër e mbyllur dhe e vendosur të mos jem publike. Nëse më ka thënë dikush se do të dalësh në televizor kam thënë të mos përmendet kjo, por me kohë e kam pa që s’ka përmirësime të mëdha te ne. Më ka rënë të udhëtoj shkaku i operacioneve dhe kam pa që s’jemi askund. Po luftoj për të bërë një të ardhme. Më 2016 kam qenë në Suedi, kam marrë shtagat dhe kam nisur gradualisht të ec. Kam ende operime, më duhen, por po pushoj sepse u bë goxha. Pos që i kam mjekët e mi si të familjes, s’kam përkrahje që mund të cek diçka nga shteti, veçse një parking personal”, ka thënë ajo teksa është shprehur falënderuese për vullnetin dhe ndihmën që i japin familja e shoqëria.

Edhe Rrëfimi inspirues i Sadetës, e punësuar në “Handikos” SOT Rrëfimi inspirues i Sadetës, e punësuar në “Handikos”

“Edhe nëse nuk është njeriu me vullnet duhet me tregu që s’bën të dorëzohesh. Sidomos ne. Dua të jap mesazhe. Ndodh që jam edhe nervoz e pa disponim, por mundohem të tregohem tjetërkush që t’i jap vullnet tjetërkujt që të mos dorëzohet se s’është kurrgjë”, ka deklaruar më tej ajo.

Për videon e HANDIKOS-it që shfaqte telashet e ecjes në shkallët e Pallatit të Rinisë, Lushaku ka thënë se ato shkallë janë shembull që “jemi shumë mbrapa”.

“Ka njerëz që kanë nevojë për t’u ngjitur shkallëve. Edhe unë lodhem, por çka me një person me karrocë? Duhet ndihmë e dy-tre vetëve. Duke i bë xhirimet jam lodhur e lëre më... S’jemi të vetëdijshëm për disa sende që duhet me i pas afër. Po dua t’i aftësoj njerëzit me aftësi të kufizuara që të mos rrinë në shtëpi e të mërziten”, ka përfunduar Lushaku.