Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rruga të cilën Komuna e Prishtinës s’e përfundoi kurrë

Nëpër më shumë se 1200 metra rrugë të paasfaltuar u duhet të kalojnë banorëve të fshatit Busi të Prishtinës për të dalë në rrugën kryesore, që i lidh ata me pjesën tjetër të fshatit dhe fshatrat e tjera përreth.

Rruga që nuk plotëson as kushtet minimale për shfrytëzim, sipas banorit Afrim Gashit, ka mbetur e tillë prej kohës së luftës, ndërsa thotë se dikur ishte e vetmja rrugë që shfrytëzohej nga banorët e zonave.

E me gjendjen e rënduar shëndetësore të disa prej familjarëve të tij, Gashi thotë se edhe intervenimi i emergjencës ka qenë i vështirë në këtë pjesë të fshatit, raporton KOHA.

Ai tregon se Komuna kishte nisur punimet në këtë pjesë gjatë 2014-s duke e futur edhe në projekt për përfundim, porse punët këtu nuk u kryen asnjëherë.

Sipas tij, të shpeshta kanë qenë rastet kur kanë mbetur të bllokuar si pasojë e mosasfaltimit të saj, për çka thotë se ka dërguar shumë ankesa në Komunë.

Tutje Gashi shprehet se zona në të cilën banon familja e tij ishte shfrytëzuar si shtab për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për rajonin e Gollakut.

Edhe Banorët e Brusit tash 11 vjet kërkojnë shtrimin e rrugëve me zhavorr Arbëri Banorët e Brusit tash 11 vjet kërkojnë shtrimin e rrugëve me zhavorr

Ndonëse nga ky fshat me kalimin e viteve janë larguar edhe një numër banorësh, Afrim Gashi tregon se në këtë pjesë ra dëshmor vëllai i tij Xhavit Gashi, që për shkak të historisë e bënë më të vështirë largimin.

Televizioni ka kontaktuar zyrtarët komunalë për një përgjigje për arsyet e mospërfundimit të kësaj pjese të rrugës dhe telashet e familjes Gashi e të tjerave në këtë zonë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.