Arbëri

Rrjeti i vjetruar elektrik rrezikon banorët e Koshares së Ferizajt

Banorët kanë bërë të ditur kërkesat zyrtare të drejtuara në KEDS për sanimin e gjendjes, zyrtarët e kësaj korporate nuk i kanë shqyrtuar, ndonëse më herët i kanë vendosur disa shtyllat prej betoni, por që asnjëherë nuk i kanë pajisur ato me kabllo të reja elektrike

Që prej disa vitesh, banorët e fshatit Koshare në Komunën e Ferizajt ankohen se janë të rrezikuar nga rrjeti dhe shtyllat elektrike të vjetruara.

Ata kanë bërë të ditur se sa herë që ka të reshura atmosferike dhe erëra të forta, shtyllat e drunjta dhe kabllot elektrike rrëzohen, duke i lënë pa furnizim me rrymë.

Kërkesat zyrtare për sanimin e gjendjes ata kanë thënë se zyrtarët e KEDS-it nuk i kanë shqyrtuar, ndonëse më herët i kanë vendosur disa shtyllat prej betoni, por që asnjëherë nuk i kanë pajisur ato me kabllo të reja elektrike.

Sadik Qerimi, përfaqësues i fshatit, ka thënë se sistemi energjetik, i instaluar më se 40 vjet më parë, është duke i rrezikuar të gjithë banorët dhe megjithëkëtë nga KEDS-i në Ferizaj kanë marrë vetëm premtime për rregullimin e gjendjes.

“Katër ditë më parë kam qenë prapë dhe kanë premtuar se do të vijnë dhe do ta rregullojnë këtë pjesë ose vendosjen e shtyllave të tjera të betonit, por edhe ndërrimin e kabllove. Po e shohim se këtu është rrezik për fëmijët, por edhe për të rriturit, sepse kabllot po prekin nëpër drunj”, ka thënë Qerimi.

Ankesë ka shprehur edhe banori i këtij fshati, Jakup Maksuti.

“Çdo erë që vjen, ne jemi të rrezikuar, edhe fëmijët janë të rrezikuar që shkojnë në shkollë. Ne po kërkojmë nga KEDS-i që nëse nuk i sjell shtyllat, atëherë le ta sjellë vetëm kabllon që nga fillimi i rrugës, sepse kabllo depërton nëpër drunj. Po shihet se si e kanë rregulluar shtyllën e drurit duke e lidhur për shtyllën tjetër. Pra, ne po e kërkojmë me urgjencë, le ta sjellin një kabull të re dhe le ta drejton që nga hyrja në mënyrë që të mos mbytet ndonjë fëmijë, sepse era si të vijë, këputen kabllot nga shtylla”, ka thënë ai.

Në KEDS, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë njoftuar se në këtë fshat janë bërë investime gjatë vitit të shkuar, në përputhje me planin intensiv të kompanisë.

“Departamenti i Sistemit të Operimeve ka ndërtuar një trafostacion të ri në këtë fshat në vitin 2021. KEDS-i, gjithashtu, në vazhdimësi bën edhe mirëmbajtjen e rrjetit dhe pastrimin e traseve, ku kalon rrjeti elektrik shpërndarës, në mënyrë që faktorët e jashtëm të kenë ndikim sa më të vogël. Sa i përket rrezikshmërisë, ekipet e KEDS-it do të dalin në terren që të bëjnë vlerësimin e situatës, për çka, në varësi të këtij vlerësimi, KEDS-i do të veprojë dhe do të evitojë në kohën më të shkurtër të mundshme secilin rrezik. Nëse qytetarët vërejnë ndonjë rrezik imediat, i lusim që të lajmërojnë KEDS-in, në mënyrë që ai të evitohet menjëherë”, kanë bërë të ditur në KEDS.

Banorët kanë kërkuar që t’u ofrohen shërbime më cilësore nga KEDS-i, teksa kanë thënë se i paguajnë me rregull faturat për rrymën e shpenzuar.