Në Ribar të Madh të Lipjanit tash e katër ditë, banorët kanë mbetur pa energji elektrike pasi nga erërat e forta janë rrëzuar shtyllat në oborret e shtëpive. Banorët kanë kërkuar zgjidhje nga KEDS-i e po ashtu kanë thënë se tash shtyllat duhet të vendosen në rrugë
Në kopshtin e shtëpisë së Brahim Duriqit në fshatin Ribar i Madh i Lipjanit, tash e disa ditë ka mbetur e rrëzuar një shtyllë elektrike.
Si e pasojë erërave të forta, që nga e enjtja, shtëpia e tij dhe rreth 20 shtëpi të tjera të fshatit kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.
“Realisht nga e enjtja pas të reshurave atmosferike që kanë rënë e cila ka shkaktuar këto problemet e rrëzimit të shtyllave unë nuk kam pasur qasje të hyj me veturë në pronën time. Jo vetëm unë por kanë mbetur shumë familje të tjera pa rrymë, por unë meqenëse jetoj në Lipjan nuk është aq problem për rrymë, por për këta banorë, për këto familjet tjera që janë këtu është bajagi problem. Tash ka filluar të ftohet edhe moti dhe është shumë problem realisht”, ka thënë Duriqi.
Shtylla të ngjashme ka edhe në oborret e shtëpive të tjera në këtë fshat për çka Duriqi ka kërkuar që problemi të zgjidhet me shtylla të reja dhe që ato të vendosen jashtë oborreve të tyre.
E banori Shefki Berbati ka thënë se KEDS-i nuk ka ndërhyrë dhe pse e kanë lajmëruar rastin.
Për pasojë, sipas tij, është dashur të angazhojë mjeshtër privat në momentin kur kabllot e rrymës kanë paraqitur rrezik për familjen dhe pronën.
“Qe katër ditë nuk kemi rrymë shkaku që janë rrëzuar shtyllat elektrike. Kemi lajmëruar rastin te KEDS-i e KEK-u, nuk ka ardhur askush të na vizitojë. E kemi marrë një mjeshtër privatisht për t’i larguar telat se ka qenë rrezik i madh. Telashe kemi pasur me gjithçka në shtëpi. Jemi munduar të gjendemi me gjeneratorë e me gjëra sa më të thjeshta përndryshe nëse nuk vijnë e të reagojnë, do të kemi shumë telashe”, ka deklaruar Berbati.
Ankesa ka shprehur edhe banori Ismet Duriqi. Sipas tij, banorët po bëjnë zgjidhje ashtu siç munden e dinë.
“Sikur më herët para 30 vjetësh si jemi gjendur, tash ashtu na duhet të gjendemi. Ka një komshi këtu ka stallën e kafshëve. I duhet thjesht me dorë t’i mjelë e i ka krejt mjetet që i ka marrë nga Qeveria e tash i duhet në mënyrën më të thjeshtë të kujdeset për to. Vallahi nuk është në rregull. E besa kemi të vjetër e të sëmurë këtu. Është diçka jashtë rendit. Tash nëse unë jam si fajtor, atëherë përse duhet të vuajnë të tjerët nga unë edhe nuk është ndonjë problem i madh kushedi se çfarë që të mos mund të zgjidhet problemi”, ka thënë ai.
Por një version tjetër kanë dhënë në KEDS. Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se problemi është krijuar pas kërkesës së banorëve që shtyllat të zhvendosen jashtë oborreve të banorëve.
“Ata (banorët) kanë kërkuar që t’u nxirren nga oborret, gjë që ka qenë e pamundur, pasi ka kabllo nën tokë. Duhet kuptuar se janë disa procedura që duhet të ndiqen për raste të tilla, që do të thotë se pas eliminimit të rrezikut, shtyllat e dëmtuara zëvendësohen me të tjera shtylla. Ndërkaq, për zhvendosjen e tyre jashtë oborrit ose oborreve, siç po kërkojnë konsumatorët, duhet të bëhet kërkesë për Zgjidhje Teknike. Sidoqoftë, pavarësisht refuzimit nga ana e tyre, KEDS-i do të tentojë prapë t’ua zëvendësojë ato shtylla, në mënyrë që këta konsumatorë të kenë furnizim me energji elektrike”, ka thënë Krasniqi.
Banorët e Ribarit të Madh nuk janë të vetmit që përballen me prishje e ndërprerje të energjisë.
Shkaku i motit të lig më 3 tetor, KEDS-i ka njoftuar se dëme janë shkaktuar në rajonet e Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit dhe Mitrovicës.
Krasniqi ka thënë se KEDS-i ka angazhuar ekipe nëpër të gjitha lokalitetet në vend ku janë shkaktuar dëme në rrjet së fundmi, dhe po punohet që konsumatorëve të prekur t’u rikthehet furnizimi i qëndrueshëm me rrymë.