Është rritur në 50 numri i ekipeve të vaksinimit në Prishtinë. Vendimi është marrë gjatë takimit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia me kryetarët e komunave të Kosovës sot nëpërmjet Zoom.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se në takim është vendosur që numri i ekipeve që po vaksinojnë kundër COVID-19 në Prishtinë të rritet nga 34 në 50.
Gjatë takimit është marrë vendim që të punojnë qendrat e vaksinimit edhe të shtunave. Deri më tash qendrat e vaksinimit në Kosovë nuk kanë punuar në ditët e fundjavës.
Këtë e konfirmoi edhe ministri Vitia në konferencë për media pas takimit.
"Në Prishtinë nga 30 ekipe këtë javë i kemi shtuar kapacitetet në 50 dhe ekipet e vaksinimit do të shtohen edhe në qendrat e tjera. Në nivel vendi numri i ekipeve të vaksinimit ka shkuar në 300 ekipe. Qendrat do punojnë edhe ditën e shtunë", ka thënë Vitia.