Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë ka folur për shtimin e dy qendrave të reja të vaksinimit në shesh dhe në “Kodrën e Trimave”.
Ai ka thënë se në këtë periudhë janë mbi 10 mijë raste aktive me COVID-19, gjithashtu është rritur edhe kërkesa për testime për COVID-19. Kjo sipas tij ka bërë që të hapen qendra.
Sipas tij, ka qendra të vaksinimit dhe ekipe mobile të cilat u mundësojnë vaksinimin qytetarëve që nuk mund të shkojnë në qendra.
“Vaksinimi ka ndryshuar situatën, kjo pasi situata e pacientëve të hospitalizuar është krejt ndryshe qysh ka qenë herëve të kaluara. Unë vazhdoj të jem herë pas here në klinikë. Mosha dhe gjendja e pacientëve është krejt ndryshe se si ka qenë herave të kaluara. Ne shumicën e qytetarëve e kemi të vaksinuar dhe kemi hyrë në një fazë që kemi një valë të kontrolluar. Vaksinimi ka luajtur rolin e vet dhe ne fokusin kryesor do ta kemi vaksinimin”, ka thënë ai.
Sadiku në emisionin “038” ka shtuar se janë deri në 400 vizita që kërkojnë ndihmë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Ai ka thënë se çdo qytetarë mund të marrë shërbim në lagjen e vet.
“Arsyeja pse kemi vendosur që një qendër vaksinimi të jetë në shesh është për shkak se ka më shumë njerëz. Ne duhet t’i bindim njerëzit që vetëm vaksina është arma që mund ta fusim në kontrolle pandeminë. Shtabi emergjent do të vendosë nëse qytetarët e infektuar do t’i marrin sërish 50 euro. Ne do të bëjmë edhe analizën se sa kemi nevojë për teste. Nëse do të ketë numër më të madh të kërkesave për vaksinim atëherë do t’i rritim qendrat”, ka thënë ai.