Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrëzohen shtyllat e betonit në autostradën për në Shkup

Të reshurat e kohëve të fundit kanë rrëzuar edhe këto shtylla betoni të autostradës “Arbën Xhaferi” në Kaçanik, raporton KTV.

Ndonëse ishte bërë studimi i fizibilitetit, dheu në këtë pjesë ka rrëshqitur dhe tash e disa javë shtyllat e rrëzuara kanë mbetur në vend.

Burime të televizionit thonë se për shkak të rrëzimit të këtyre shtyllave dhe jo stabilitetit që është në atë pjesë, ka ndërruar traseja, por në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dhënë informata për këtë.

“Meqenëse ka pasur ndryshime të mëdha të temperaturave, ku një sasi e madhe e ujit nga shkrirja e borës dhe shiu, që i kanë tejkaluar shumë herë parametrat e mesatareve vjetore të reshjeve, ka depërtuar në zonën jostabile të dheut, duke shkaktuar rrëshqitjet e masivit të dheut dhe si pasojë, është dëmtuar shtylla e ndërtuar për Urën B055, në segmentin C3A, Kaçanik” , thuhet në një përgjigjje të ministrisë së infrastrukturës. Më 02 korrik të vitit 2015, është nënshkruar kontrata ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë fituese “Bechtel &Enka” për ndërtimin e Autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, në vlerë prej 599,944,263.55 euro.

Punimet në pjesët ku s’ka pasur dëmtime, po vazhdojnë edhe gjatë natës.