Është data tetë dhjetor dhe rruga nacionale Kaçanik-Han i Elezit është mbyllur, në kuadër të punimeve për vendosjen e trarëve në Urën 407.
Këto punime në autostradën “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë, aktualisht janë duke u bërë në segmentin e katërt dhe të fundit, raporton KTV.
Por, kjo autostradë nuk pritet të jetë e gatshme për qarkullim në fund të këtij viti, pasi punimet në të nuk pritet të përfundojnë më 31 dhjetor, ashtu siç e parasheh projekti.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përkundër vonesave, thotë se është i kënaqur me ecurinë e punimeve.
Rruga nacionale Kaçanik-Han i Elezit është mbyllur për qarkullim të premten dhe të shtunën, nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 12:00 dhe nga ora 14:00 deri në 17:00 pasdite.
Ndërsa, më 18 dhjetor kjo rrugë do të jetë e mbyllur për qarkullim nga ora 7:00 deri në 17:00.
Edhe
Autostrada “Arbën Xhaferi” s’përfundon në fundvit edhe përkundër premtimeve të Lekajt
Për 60 kilometrat e autostradës “Arbën Xhaferi”, Qeveria e Kosovës i kishte paguar rreth 600 milionë euro kompanisë 'Bechtel-Enka'.
Kurse, këtë vit, ekzekutivi ka nisur pagesën shtesë prej 53 milionë eurosh për këtë kompani, si pasojë e mosrespektimit të kontratës.