Arbëri

Rrebeshi i breshrit i dëmtoi rëndë bujqit

Perime, pemë e edhe shpezë shtëpiakë nuk i shpëtuan breshrit që goditi pasditen e së hënës pjesën juglindore të Kosovës. Në fshatin Gaçkë të Ferizajt, fermerët mbetën pa lakrat, shalqinjtë, domatet e specat e mbjellë. Bujqit thonë se një mot i tillë nuk mbahet mend prej dekadash

Lakrat, shalqirin, domatet e misrin i dëmtoi rëndë breshri që ra pasditen e së hënës në pjesën juglindore të Kosovës. 

Në fshatin Gaçkë të Ferizajt, Ibrahim Sejdiut reshjet ia prishën bahçen, por edhe një pjesë të pemëve, të gjitha të mbjella me qëllim shitjeje.

“Breshëri që ka rënë dje është për t’u mbajtur mend, të tillë s’kam parë qe 60 vjet. I ka dëmtuar domatet, kungujt, qylahët, specat, gjithçka ka prishë”, ka thënë Sejdiu.

Ai tregon se kokrrat e breshrit ishin aq të mëdha, saqë i lënduan edhe shpezët shtëpiakë. 

“Gusës këmbën ia ka thyer”, tha Sejdiu.

Një tjetër bujk në Gaçkë, Njazi Rexhepi, reshjet ia çuan dëm mundin e disa muajve në një parcelë të mbjellë me lakra. 

Ai tha se paradite e prashiti tokën, e pasdite ia dëmtoi moti.

“Të mbjella i kemi diku 75 ar me lakër, me fije apo rrënjë janë diku 27,500 fije janë. I ka dëmtuar goxha shumë breshëri, diku 90 për qind janë të dëmtuara”, ka treguar Rexhepi. “Vendi ka qenë 20 vjet i papunuar, unë e kam punuar – ma kanë dhënë disa fqinjë. Vendi është shumë i mirë bash për lakër, por fatkeqësitë natyrore, s’kemi ç’t’i bëjmë”.

Dëm të madh, breshri i shkaktoi edhe Mursel Osmanit. Secilën kokërr shalqiri, të mbjellë në sipërfaqe prej 70 ari, ia dëmtoi.

Pos shalqirit, reshjet nuk ia kursyen as dy serrat. Ia dëmtuan edhe parcelën e mbjellë me kumbulla.
Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Burim Bajrami, e vizitoi Osmanin të martën. Ai tha se i ofroi mbështetje për kompensimin e dëmit. 

Drejtoria e Bujqësisë ka ndarë 70 mijë euro për dëmet në të mbjella, në gjedhe e në veprimtari të tjera bujqësore. 

Bajrami tha se bujqit e dëmtuar do të kenë përparësi në grantet, subvencionet dhe pajisjet bujqësore që ndan komuna. 

“Por normalisht që do ta kemi parasysh që të njëjtin fermer që ka pësuar dëme edhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme tona të drejtorisë duke pasur përparësi në secilin aktivitet që e zhvillojmë për shembull, për shembull, gjatë përfitimit të mekanizmit bujqësor, këto familje që kanë pësuar dëme do ta kenë përkrahjen tonë pa rezervë”, ka thënë drejtori Bajrami.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, breshër të hënën ra në pjesën jugore e juglindore të vendin, kryesisht në zonat rreth maleve të Sharrit. 

Pas valës së të nxehtit të javës së shkuar, Kosova u përball të hënën pasdite me stuhi, breshër e reshje të rrëmbyeshme që kanë lënë pasoja. 

Përpos Ferizajt, breshër ka rënë në qytetin e Gjilanit dhe në fshatra përreth, si në Livoq. Mot i këtillë ka mbretëruar edhe në komunat e Shtërpcës e të Kaçanikut. 

Edhe rajone të tjera janë prekur nga stuhitë, si Malisheva, Rahoveci, Gjakova e Prizreni.

Në rrjete sociale qytetarët kanë postuar sasinë e madhe të breshrit dhe dëmet e shkaktuara nga erërat e forta, përfshirë pemë që janë nxjerrë me rrënjë.

E, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka bërë të ditur se shkaku i dëmeve, në disa komuna ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.