Arbëri

Rotarianët i dhurojnë Spitalit të Prizrenit një inkubator mobil

Spitali i Prizrenit prej të mërkurës është pajisur me një inkubator mobil, i cili do të shërbejë për transportimin e të porsalindurve në kujdesin shëndetësor terciar. Inkubatori i siguruar nga rotarianët e Prizrenit do të shërbejë për nevojat e pacientëve të rajonit të Prizrenit. Në ceremoninë e dorëzim-pranimit, drejtuesit e klubit të rotarianëve kanë pohuar se inkubatori mobil është siguruar në saje të donacioneve të rotarianëve dhe qytetarëve, për të përmbushur një nevojë të kahershme të Spitalit. Ndërkaq menaxhmenti i Spitalit ka vlerësuar bashkëpunimin dhe donacionet e akterëve të ndryshëm, për ti dhënë një frymë tjetër këtij institucioni shëndetësor.

Veton Qipa nga Rotary Club “Prizren Macadam” ka theksuar se rotarianët janë angazhuar rreth 6 muaj për sigurimin e këtij donacioni, që do t’i shërbejë komunitetit, konkretisht të porsalindurve që duhet të dërgohen për trajtim mjekësor në nivelin terciar në Prishtinë, apo edhe jashtë kufijve të Kosovës.

"Ne urojmë që ky inkubator të përdoret sa më pak. Por jemi të mendimit se atëherë kur do të jetë nevoja inkubatori do të shërbejë në mënyrën më të mirë për t'i dalë në ndihmë bebeve tona për t'i transportuar në QKUK në Prishtinë", ka thënë Qipa.

Drejtori i Spitalit rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj ka shprehur mirënjohjen për të gjithë akterët që përmes bashkëpunimit dhe donacioneve të ndryshme i kanë dhënë frymë e pasqyrë tjetër këtij institucioni shëndetësor.

“Ky inkubator i dedikohet fëmijëve, të porsalindurve, përfaqësuesve të repartit të neonatologji-pediatri, të cilët do ta shfrytëzojnë për nevojat e pacientëve të gjithë rajonit të Prizrenit”, ka thënë Avdaj.

ka shtuar se ka 6 ditë që në Spitalin e Prizrenit nuk është i shtrirë asnjë pacient me COVID-19. “Gjithë akterët që kanë ndikuar në menaxhimin dhe tanimë vurjen në kontroll të kësaj pandemie janë pjesë e bashkëpunimit, jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, për të qenë model i bashkëveprimit pavarësisht përkatësive të ndryshme”, është shprehur Avdaj, duke numëruar edhe disa projekte tjera që do të avancojnë punën e këtij spitali.

Ngjashëm edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pos vlerësimit për këtë donacion, ka vënë në pah faktin se është dita e 6-të që në këtë spital nuk ka pacientë me COVID-19.

“Shpresoj që inkubatori mobil nuk do të përdoret aq shumë, sic e tha z.Vetoni, por ne duhet ti kemi të gjitha pajisjet për me i dalë në ndihmë qytetarëve. Po më vjen mirë që sot jemi këtu edhe në ditën e gjashtë apo rreth 1 javë ku nuk kemi asnjë person në trajtim nga COVID-19 në Spitalin regjional. Ka kaluar një periudhë shumë e rëndë dhe dua të falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësorë, të cilët ende janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Një periudhë shumë e vështirë ka kaluar, shpresoj që trendi i rënies do të vazhdojë. Në të njëjtën kohë në këtë kohë pandemie e kuptuam se sa me rëndësi është shëndetësia, që të kemi mjekë e infermierë dhe pajisje për të trajtuar pacientët”, ka thënë Haskuka.

Në kuadër të këtij aktiviteti, rotarianët e Prizrenit kanë shprehur qëndrimin se aktivitetin humanitar do ta vazhdojnë me kontribute të reja, si në sferën e shëndetësisë, kujdesit ndaj nënës dhe fëmijës ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit.