Në ambiente të improvizuara funksionon reparti i fëmijëve i Spitalit të Mitrovicës. Ka afro shtatë vjet që objekti i repartit është ngritur, por dyert nuk iu hapën, shkaku që institucionet nuk i ndanë 50 mijë euro, që u kërkuan nga donatori. Në repart thanë se nuk ka kushte më të rënda ndokund në rajon, sesa ato në të cilat punohet në Mitrovicë. E në Ministrinë e Shëndetësisë u zotuan se deri në fundvit objekti do të funksionalizohet
Ramadan Ahmeti ka sjellë të bijën për kontroll në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda së cilës është vendosur Reparti i Pediatrisë i Spitalit të Mitrovicës.
Por, analizat dhe ekzaminimet më të hollësishme për fëmijën nuk mund t’i kryejë aty dhe detyrohet që për këto shërbime të drejtohet në spital, ku edhe do të duhej të ishte reparti. Ai tregon për kushtet brenda këtyre hapësirave të improvizuara.
“Sot e kam sjellë vajzën time. Është me një lloj virusi dhe kushtet nuk janë aspak të mira. Na bije shumë shpesh në rend me pritë... Na ka ndodhë p.sh. prej 6 në mbrëmje deri në 8 në mëngjes, por atëherë kur e kam sjellë unë ka pasur vend, por nuk ka vend të mjaftueshëm p.sh. 10 ose 15 fëmijë”, ka thënë Ahmeti.
Derisa fëmijët trajtohen në hapësira të QKMF-së, objekti i ri i Pediatrisë, që është donacion nga shoqata “Nënë Terezë” me seli në Gjermani, ka përfunduar para afro shtatë vjetësh. Por, dyert nuk i janë hapur për pacientët, shkaku që donatori kërkoi nga institucionet participim me 10 për qind të vlerës së donacionit.
Në marsin e sivjetmë, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se së bashku me donatorin kanë nënshkruar marrëveshje me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për mbështetje financiare.
Shefi i repartit të Pediatrisë, Qenan Çabra, thotë se pas këtij njoftimi i gjithë stafi pret me entuziazëm kalimin sa më të shpejtë në objekt të ri, pasi kushtet aktuale në të cilat kryejnë punën thotë të jenë të rënda.
“E kemi larg emergjencën, larg laboratorin, i kemi larg konsultat me mjekë të tjerë të lëmenjve të ndryshme, që ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe konsultim. Nuk mundemi me i mbajtë fëmijët për trajtim më të gjatë, e kemi vetëm trajtimin njëditor. Në këto kushte vetëm Zoti na ka ruajtur që të mos ndodhë diçka”, ka deklaruar Çabra.
Premtimi për funksionalizimin e repartit të fëmijëve është bërë për çdo vit.
E drejtoresha e spitalit, Luljeta Zhubi, thotë se nuk ka një datë se kur ky objekt do të jetë i gatshëm për punë.
“Menaxhimi rreth punimeve dhe organizimit për finalizimin e punëve në këtë spital janë në duar të ekipit të formuar nga ekspertë të lëmenjve të ndryshëm nga vetë Ministria Shëndetësisë. Nuk kemi data të sakta, presim deri në fund të këtij viti që kryhen punimet”, ka thënë Zhubi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se më nuk ekziston ndonjë pengesë dhe se finalizimi i tij pritet në fund të vitit.
“Ministria e Shëndetësisë ka bërë vlerësimin e gjendjes të Repartit të Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës si dhe vlerësimin e nevojave sa i përket infrastrukturës, inventarëve, pajisjeve dhe burimeve njerëzore. Është kontraktuar operatori ekonomik për projektim dhe pas projektimit do të hapet tender për përzgjedhjen e punëkryersit me qëllim të realizimit të punimeve. Në bazë të Planit të veprimit të Divizionit të Infrastrukturës në MSH, finalizimi i këtij projekti pritet të përfundohet në fund të dhjetorit të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërkaq, në shoqatën “Nënë Tereza” dhe në atë “Jetimat e Ballkanit” nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me vënien në funksion të repartit.
KOHA, po për këtë projekt ka shkruar edhe në maj të vitit 2022.
Drejtori i atëhershëm i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pati thënë se janë duke u bërë përpjekje për ta gjetur një zgjidhje. Ai ka treguar arsyet e zvarritjes.
“Çështja është që gjatë ndërtimit pa aprovimet e mekanizmave kanë kryer pune shtesë e që nuk kanë pasur kontratë as me SHSKUK-në e as me Ministrinë e Shëndetësisë, e pastaj nuk kanë pasur formë qysh t’i bëjnë pagesat. Kështu diçka është”, ka thënë Krasniqi, në majin e vitit të kaluar.
Por, nuk është vetëm zotimi i ministrisë që tash drejtohet nga Arben Vitia. Edhe Rifat Latifi, sa ishte ministër i Shëndetësisë, por edhe pararendësit e tij patën premtuar funksionalizimin e këtij reparti, që ka nis para afro shtatë vjetëve.
Ky repart ka 1200 metra katrorë. Aty do të jenë 26 shtretër.