Romë të tri fshatrave të Graçanicës, tash e 8 vjet po përballen me problemin e qasjes për në varreza, meqë rruga e shkurtër që dikur e kishin, është ndërprerë nga ndërtimi i autostradës për të Shkup. Për pasojë, për të mbërritur te varrezat duhet përshkuar 3 kilometra rrugë të baltosur që vështirë kalohet edhe në këmbë, e lëre më me mjete transporti. Banorët i janë drejtuar për problemin edhe përfaqësuesve të OSBE-së, meqë shtrimi i rrugës ka mbetur peng i faktit që varrezat janë në territorin e Graçanicës, por e gjithë rruga ndodhet në territorin e Fushë-Kosovës
Banorët e komunitetit rom të tri fshatrave në Graçanicë e konsiderojnë nevojë urgjente asfaltimin e rrugës disakilometërshe që shpie te varrezat. Ata kanë thënë se tash e 8 vjet po përballen me këtë problem, pasi që rruga e shkurtër për te varrezat është ndërprerë nga ndërtimi i autostradës për të Shkup. Për pasojë, për të mbërritur te varrezat duhet përshkuar 3 kilometra rrugë, që vështirë kalohet edhe në këmbë, e lëre më me mjete transporti.
Fehmi Emini, njëri nga banorët e Komunës së Graçanicës, thotë se ka raste kur detyrohen që kufomat t’i bartin pa mjete transporti.
“Kur nuk ka reshje, rruga edhe mund të kalohet në këmbë, por largësia është problem sepse rruga është e gjatë afro tri kilometra. Kur bie shi apo borë ne kemi shumë probleme. Traktorët kanë ngecur në baltë dhe atëherë është dashur në këmbë me i bartë kufomat deri te varrezat”, ka thënë Emini. “Këto janë probleme të mëdha, sepse rruga është vështirë të kalohet në këmbë edhe pa pasë barrë, lëre më me e bartë një kufomë”.
Edhe Qelliq Memiq, banor i fshatit Preoc të Graçanicës, përmend po këto probleme.
“Kemi pasë rast që mezi kemi mbërri deri atje. Kemi mbetë deri në orën 10-11 të mbrëmjes derisa e kemi varrosë kufomën”, ka thënë Memiq.
Banorët kanë thënë se i janë drejtuar për problemin edhe përfaqësuesve të OSBE-së, meqë shtrimi i rrugës ka mbetur peng i faktit që varrezat janë në territorin e Graçanicës, por e gjithë rruga ndodhet në territor të komunës fqinje, Fushë-Kosovës.
Leutrim Ajeti, nënkryetar i Graçanicës, ka thënë se kjo rrugë është prioritet i Komunës. Por, edhe ai ka thënë se problem përbën ngatërresa
Ai ka bërë të ditur se autoritetet komunale janë në bisedime me ato të Fushë Kosovës, për hartimin e një memorandumi mes dy komunave që do t’i jepte zgjidhje këtij problemi.
“Kemi biseduar, kemi pasur një takim i cili është fasilituar nga organizata OSBE, ku kemi marrë pjesë zyrtarët e lartë të komunave, pra të Fushë Kosovës dhe Graçanicës, dhe po presim të na vijnë paramasat dhe parallogaritë nga kompania dhe pastaj ta hartojmë dhe ta nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit, gjë që do të nënkuptonte edhe përfundimin e asaj rruge”, ka bërë të ditur Ajeti.
Ndërkaq, Maliq Berisha, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, ka thënë se Komuna e Graçanicës e ka pasur për obligim që të bëjë studimin e terrenit dhe të kostos. Edhe ai është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes së mirëkuptimit, nuk ka saktësuar se kur problemi për banorët romë do të zgjidhet.
“Nuk ka afat të caktuar kohor”, ka thënë ai. “Komuna e Fushë Kosovës mbanë përgjegjësi për pjesën e vetë, që do të jetë menaxhuese e këtij projekti, bashkë me komunën e Graçanicës për punën që duhet të kryhet”.
Kjo drejtori, sipas Berishës, ka marrë përsipër që rrugën ta shtrojë me zhavorr, por jo edhe që ta asfaltojë.
Komuna e Graçanicës është formuar në vitin 2007, nëpërmjet procesit të decentralizimit në Kosovë. Në kuadër të saj është përfshirë edhe një territor i Komunës së Fushë-Kosovës.