Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.
Në një njoftim në Facebook, Komisioni bëri me dije se pardje (18 dhjetor) është bërë rivarrimi i mbetjeve të Feriz Mrasorit në Pastasel të Rahovecit, ndërsa sot në Strofc të Vushtrrisë janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut.
Të shtunën do të rivarrosen mbetjet mortore të Sylejman Demës në Rahovec.
“Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu. Më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut. Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës”, thuhet në njoftim.
Komisioni ka theksuar se tre viktimat e luftës në Kosovë ishin në listën e personave të zhdukur.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”, thuhet në njoftim.
-
Gjenden mbetje eshtërore në Rahovec, dyshohen se i përkasin së paku një personi të zhdukur gjatë luftës
-
Gjenden mbetje të reja mortore të viktimave të dyshuara të luftës
-
Gjenden mbetje mortore të dy personave që dyshohen se janë të zhdukur gjatë luftës
-
Gërmime më Mitrovicë, gjenden eshtrat e së paku dy të zhdukurve gjatë luftës
-
Identifikimi i mbetjeve mortore merr deri në një vit kohë