E-kiosqet në Prishtinë i janë rikthyer funksionimit, pas një mungese të letrave të certifikatave.
Drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Bersant Beka, ka thënë të mërkurën, se deri në mesditë nuk kanë funksionuar e-kiosqet për shkak të refuzimit për t’i furnizuar ato.
Sipas tij, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me Sindikatën e BSPK-së të martën, zyrtarët të cilët e furnizojnë e-kioskun me certifikata, kanë refuzuar të punojnë dhe si rezultat i kësaj ka mbetur e-kiosku i pa furnizuar me certifikata.
“Megjithatë, pas takimit qe kemi pasur me sindikatën kemi hasur në mirëkuptim dhe jemi pajtuar që të furnizohet e-kiosku në mënyrë që mos të pësojnë qytetarët, gjithashtu jemi pajtuar që rasteve emergjente t’u ofrohet shërbimi në sportele”, ka shtuar ai.