Arbëri

Radhë të gjata për certifikata, MPB-ja tregon se kur do të rifunksionalizohen e-kiosqet

Presin në radhë për të marrë një certifikatë apo ekstrakt të lindjes.

Për këtë punë, e cila më parë iu merrte vetëm 5 minuta, tani duhet të presin më gjatë.

Kjo pasi e-kisoku në komunën e vjetër të Prishtinës, si edhe në çdo komunë, ka kohë që është hequr nga përdorimi nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo ka vështirësuar nxjerrjen e dokumenteve bazike, sidomos në kohën kur pritet të vijnë mërgimtarët.

Qytetarët thonë se tani po iu bie të presin më gjatë.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka deklaruar se mosfunksionimi i e-kiosqeve është arsyeja pse po bëhen radhët e gjatë të qytetarëve në administratën e Komunës.

E gjithë kjo është bërë për t’u ndërmarrë disa ndryshime në software.

Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë për KOHËN se tashmë Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit kanë përfunduar punën e paraparë për rifunksionalizimin e sigurt dhe komfor udhëzimit administrativ për lëshimin e dokumenteve të Gjendjes Civile.

Sipas tyre, tani ka mbetur te komunat që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme.

“Pasi që ARC dhe ASHI i kanë përfunduar aktivitetet e parapara për rifunksionalizimin e sigurt dhe komfor udhëzimit administrativ për lëshimin e dokumenteve të Gjendjes Civile, tani në vazhdimësi komunat ( veç e veç) dhe zyrtarët e TI-së së komunave të Republikës së Kosovës janë duke bërë kërkesa për gjenerimin e certifikatave të sigurisë të cilat duhet të instalohen dhe funksionalizohen komfor ndryshimeve në secilin e-kioske të komunave përkatëse. Pasi që komunat i realizojnë këto ndryshime e në këtë rast edhe Komuna e Prishtinës do të bëhet e mundur lëshimi i certifikatave nga e-kioskat specifike”, tha MPB-ja.

Në anën tjetër, drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Bersan Beka, nuk ka pranuar të deklarohet rreth kësaj çështjeje.