Arbëri

Rikthehen kazinotë ilegale në Karaçevë, institucionet heshtin

Në krye të një viti, prej kur Policia dhe Prokuroria ndërmorën aksion të madh për të rrëzuar objektet e kazinove ku po zhvillohej aktivitet i paligjshëm, duke arrestuar edhe 33 persona, ato janë kthyer sërish, në të njëjtin vend. KOHA nuk ka marrë përgjigje nga institucionet përgjegjëse nëse janë duke hetuar rihapjen e kazinove në Karaçevë. KOHA ka qëndruar në këtë fshat dhe ka parë katër kazino ilegale

Karaçevë, 31 tetor – Rrjeti i kazinove që operojnë ilegalisht është kthyer sërish në Karaçevë të Kamenicës. Për një parcelë toke afër kufirit me Serbinë ku është ngritur një objekt për lojërat e fatit, një serb ia paguan qiranë një shqiptari rreth 800 euro në muaj, kanë thënë banorët e zonës në kushte anonimiteti. Shtetasi serb aty po zhvillon veprimtarinë e bixhozit, që është i paligjshëm.

Nga katër kazinotë që janë duke operuar aktualisht, njëra ka qenë edhe më parë nën restorantin që gjendet aty, dy të tjera janë ndërtuar me blloqe betoni e njëra është ngritur në një objekt montazhi. Ky rrjet i kazinove është kthyer brenda një viti prej kur forcat e rendit patën ndërmarrë aksionin më të madh policor ku patën rrënuar kazinotë e patën arrestuar 33 persona, mes tyre 10 policë. Banorët që nuk kanë dashur të identifikohen thonë se ka një kohë që ato kanë nisur operimin dhe se frekuentimi i tyre është goxha i madh gjatë natës. Operimi i lojërave të fatit është ndaluar me ligj që nga maji i 2019-s, por institucionet po qëndrojnë indiferente karshi kësaj veprimtarie ilegale.

Në një përgjigje për KOHËN nga KFOR-i kanë thënë se vazhdimisht e monitorojnë situatën për të garantuar siguri dhe stabilitet, porse është çështje e institucioneve vendore që të merren me zbatimin e ligjit në atë pjesë të vendit.

“Misioni i NATO-KFOR-it është të kontribuojë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, siç është mandatuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Prandaj KFOR-i nuk është i përfshirë në zbatimin e sundimit të ligjit vendor, sepse është jashtë mandatit të KFOR-it. Megjithatë, KFOR-i është vigjilent dhe monitoron vazhdimisht çdo ngjarje apo situatë që mund të pengojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se vetëm Prokuroria e Gjilanit ka të drejtën të prononcohet për atë zonë, E kjo e fundit pavarësisht insistimit për disa ditë, nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS nëse është në dijeni për veprimtarinë ilegale që është duke u kryer në këtë zonë ose edhe nëse është duke e hetuar situatën.

Nga ajo që KOHA merr vesh, Prokuroria nuk është duke u marrë me zhvillimet e reja në Karaçevë, meqë ende është duke kryer hetime lidhur me operacionin e shtatorit të vitit të kaluar, për të cilin ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

Lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, trafikimin me njerëz, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale, në Karaçevë ishin arrestuar 33 persona.